Kryesia e Kuvendit ka caktuar mbajtjen e një seance plenare për të premten, më 10 prill 2026, në orën 10:00.
Në rend dite do të jenë pyetje parlamentare, deklarime jashtë rendit të ditës si dhe shqyrtimi dhe votimi i disa marrëveshjeve dhe projektligjeve.
Në rendin e ditës përfshihet miratimi i rendit të ditës dhe procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Më pas, parashihet votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.
Në vijim do të shqyrtohet Projektligji nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika, si dhe Projektligji nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën.
Gjithashtu do të shqyrtohet Projektligji nr. 10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.
Në rend dite është edhe votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Po ashtu do të bëhet zgjedhja e një (1) anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”.
Në fund, pritet edhe propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

