Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e qeverisë për masat emergjente në furnizimin e energjisë elektrike, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur atë duke thënë se një vendim i tillë nuk ndihmon në furnizim të qëndrueshëm me energji.
Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli ka thënë se ka rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian e cila sipas saj do të ndikojë negativisht edhe në Kosovë gjatë muajve në vijim.
“Duke e marrë parasysh situatën energjetike në vend dhe me qëllim të tejkalimit të kësaj situate qeveria propozon të shpallë masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji të vlefshme në furnizim me energji të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Kjo për faktin se kemi një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian e cila do të ndikojë negativisht ngjatë muajve në vijim edhe në Kosovë në masën që ne detyrohemi të importojmë energji elektrike, për më tepër disa shtete evropiane kanë paralajmëruar ndalim të eksportit të vendeve fosile dhe gjatë muajve në vijim posaçërisht gjatë muajve të dimrit pastaj është e pritshme që disa shtete do të ndalojnë edhe eksporti ne energjisë elektrike”, ka thënë ajo.
Ajo ka propozuar që masat të nisin sa më herët që është e mundur.
“Me qëllim që të fillojmë masat sa më herët që është e mundshme në disa drejtime duke përfshirë këtu edhe nxitjen e kursimit të energjisë, edhe ndalimin e disa aktiviteteve që shpenzojnë shumë energji, dhe për të ndërmarrë masa të tjera potenciale për të ndihmuar KOST-im për të ndërmarr veprimet e nevojshëm në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit energjetik, por edhe për masa të tjera potenciale sipas nevojës që do të paraqitet ne propozojmë shpalljen e masave emergjente miratimin e tyre nga Kuvendit”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se nëse vazhdon trendi i njëjtë në Evropë, do të ketë nevojë për të vazhduar masat me radhë edhe për nga 30 ditë.
Por nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar qeverinë që nuk kanë treguar se cilat ishin rezultatet nga masat emergjente të ndërmarra më herët.
Deputeti Ferat Shala ka thënë se qeveria do të duhej të dorëzonte një raport për këtë çështje.
“Mund ta mbështesim sot këtë nismë që kemi vullnet për shkak të situatës globale, por nuk mund ta mbështesim këtë pa parë vendimin e qeverisë pse i ka ende 90 milionë dhe nuk kanë shkuar në sektor. A na ka mashtruar atëherë kryeministri dhe qeveria kur i ka zotuar mjetet apo po na mashtron sot, njëra është e sigurt nëse nuk janë të dyja mashtrime. Ne do të duhej ta kishim një raport pse sektori energjetik tash e 8 muaj nuk i merr mjetet e zotuara”, ka thënë ai.
Ndërsa Valentina Bunjaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qeveria duhet të trajtojë furnizimin e sigurt me energji në të kundërtën sipas saj do të ketë sërish reduktime të ashpra.
“Ky vendim i qeverisë nuk i ndihmon asgjë në furnizim të sigurt e të qëndrueshëm në energji, nuk janë masa emergjente e as konkrete, janë krejtësisht aspekte informuese të përgjithshme të cilat janë të zakonshme në një shtet normal serioz për çdo sezon. Asnjë masë rekomandim në ketë vendim të qeverisë nuk flet për ndarjen e mjeteve financiare subvencione sigurim të importit, investime të energjisë alternative, por janë deklarata të thata pa asnjë impakt në teren… Ky vendim i qeverisë fatkeqësisht do të rrezikojë serish me dështim për furnizim të sigurt me energji prandaj duhet refuzuar., ka thënë ajo.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka kritikuar qeverinë duke thënë se nuk po i qaset problemeve me ndonjë strategji dhe në kohën e duhur.
“Ajo që mund të them edhe pse e arsyeshme, por ne edhe vitin e kaluar ju kemi paralajmëruar që do të hyjmë në një krizë të thellë energjetike që në korrik të vitit të kaluar dhe ju vendimin e parë dhe seriozitetin e parë e keni treguar pas tre muaj, të vonuar dhe pasi kemi hyrë në krizë energjetike. Kjo qeveri është mësuar të zgjedhë problemet ad-hoc pa strategji dhe pa vendimmarrje në kohën e duhur”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimi i qeverisë parasheh masa të domosdoshme dhe i njëjti duhet mbështetur.
“Jo vetëm që duhet të mbështeten pro janë të domosdoshëm për të krijuar mekanizmat për përballim me mungesat me të cilat po ballafaqohen vendet në mbarë Evropën dhe më gjerë… Bashkë me vendimin për masat e emergjencës për fuqizim me energji krijohen mekanizmat për mbrojtje të qytetarëve më raport me krizën e cila po an pret gjatë sezonës së dimrit”, ka thënë ajo.
Ministria e Ekonomisë thotë se janë duke monitoruar situatën elektroenergjetike në Kosovë dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në përgatitjen e termocentraleve për sezonin e dimrit.
Po ashtu, është njoftuar se menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore. Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që, sipas qeverisë, është mbi mesataren botërore të punës së termocentraleve me thëngjill.