Të enjten në Kuvendin e Kosovës do të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për Trustin.
Të tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK përkrahin tërheqjen deri në 30 % të kursimeve pensionale.
Mendim të njëjtë me to ka edhe Fatmir Humolli, ani se i takon grupit të deputetëve të Vetëvendosjes, partisë në pushtet e cila është kategorikisht kundër një nisme të tillë.
“Unë nuk kam ndërruar qëndrim. Do të votoj pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti”, u shpreh Humolli
Shqyrtimi i Projektligjit për Trustin vjen në Kuvend pas mbledhjes së mbi 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.
Humolli e arsyetoi qëndrimin e tij të kundërt që ka me partinë karshi kësaj teme.
“Sa humbin mjetet nëpër kompani ndërkombëtare, më mirë t`i marrin qytetarët”, theksoi Humolli.
Krejt në fund, deputeti i VV-së, i apeloi Qeverisë që Trustin Pensional ta transformojë në Bankë Shtetërore.
“Trusti pensional me u shndërru në Bankë Shetërore, siç kishte premtuar Kurti gjatë fushatës. Trusti Pensional me u shndërru në fond investiv që krijon 80 mijë vende të punës. Nëse do të ndodhte kjo, qytetarët nuk do t`i kërkonin këto mjete”, deklaroi Humolli për “Front Online”.
Rreth 600 milionë
Drejtori i Trustit, Adrian Zalli, pati thënë se nëse projektligji kalon në Kuvend, rreth 600 milionë euro do të tërhiqen.
“Prej shifrave nëse shkohet siç është propozuar në ligj shuma qe do të tërhiqet është mbi 594 milionë euro nëse të gjithë i tërheqin, nëse marrim praktikën se sa i kanë tërhequr herën e kaluar është 95 për qind. Është e pritshme që e njëjta të tërhiqet rreth 600 milionë euro”, ka theksuar Zalli.
Trusti s`kaloi njëherë në Kuvend
PDK, përmes deputetit Bekim Haxhiu, kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Projektligji nuk mori votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në qershor.
U votua pos nga 44 ligjvënës, teksa u kundërshtua nga 57 të tjerë e abstenua nga një.