Jo rrallëherë kompanitë e ndryshme në Kosovë bien pre e mashtrimeve nga persona të cilët përfitojnë prej tyre shuma të konsiderueshme parash.
Një rast i tillë iu ka ndodhur së fundmi disa bizneseve në Gjilan e Prizren që i mashtroi një person që e keqpërdori emrin e ‘Teta Gjylit, duke u prezantuar rrejshëm si përfaqësues i saj.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 25-vjeçar, Gentrit Shala, i cili tashmë ka rënë në prangat e Policisë.
Ai dyshohet se është prezantuar si pronar i kompanisë ‘Teta Gjyli’ që është në pronësi të aktorit Osman Azemi dhe kështu ka vënë në lajthitje disa biznese.
I dyshuari ‘marrëveshjet’ që i ka bërë me këto kompani kanë qenë gjoja se për marketing gjatë serialit ‘Teta Gjyli’ që do të transmetoheshin në televizionet në Kosovë.
Mashtrimi i tij u zbulua, me ç’rast i dyshuari u shoqërua në Polici, ku u përball me veprën që ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij kanë nisur hetimet për mashtrim dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë.