Besnik Ismajlaj, 53 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në St. Charles, Illinois, arriti të kalojë kontrollin e sigurisë në aeroportin O’Hare të Chicagos me një armë zjarri në çantën e dorës, pa u vënë re nga agjentët e TSA-së (Administrata për Sigurinë e Transportit Ajror), transmeton Gazeta Insajderi.
Ngjarja ndodhi më 15 prill, gjatë një ndërrimi turni të agjentëve të sigurisë. Sipas policisë, Ismajlaj kishte me vete një pistoletë gjysmë-automatike Glock 9mm, të cilën e futi në avion pa u zbuluar.
Pamjet e publikuara së fundmi nga kamera trupore e policisë tregojnë momentin kur oficerët e policisë së Chicagos hipin në avion dhe e nxjerrin Ismajlajn nga klasa e parë, ku ai ishte ulur qetësisht.
Kur oficerët e pyetën nëse e dinte pse ndodheshin aty, Ismajlaj u përgjigj: “Po, është në çantën time.”Më tej, në video ai dëgjohet duke thënë: “E harrova,” teksa vendoset në pranga dhe shoqërohet jashtë avionit, shkruan “The New York Post”.
Sipas deklaratave zyrtare, një agjent i TSA-së e kishte vënë re armën gjatë kontrollit me rreze X, por para se të mund të reagonte, Ismajlaj kishte marrë çantën dhe ishte larguar drejt portës së fluturimit. Një udhëtar tjetër që ndodhej në radhë dha përshkrimin e personit që mbante armën, gjë që ndihmoi në identifikimin dhe kapjen e tij.
Pas arrestimit, ai u ngarkua me një akuzë për kundërvajtje, për mbajtje të armës së fshehur në një aeroport. Në video shihet gjithashtu momenti kur policët e fusin në një furgon policie dhe më pas e dërgojnë në një dhomë mbajtjeje, ku i lexohen të drejtat Miranda.
Ismajlaj pritet të dalë para gjykatës më 9 qershor 2025.