Ligji i ri për Emigrim, të cilin Gjermania planifikon ta nxjerrë me qëllim për të mbuluar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, mund të shkaktojë humbje serioze për popullsinë e vendeve të Ballkanit si në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.
Ky Ligj për emigrim të cilin qytetarët e Ballkanit e shohin si një shpresë, mund të shkaktojë “ikjen e trurit” dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.
Ligji i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2019 dhe që do të lehtësojë punësimin e njerëzve nga shtetet e Ballkanit, po pritet me padurim nga popujt e rajonit ndërkaq një pjesë e madhe nuk është ende në dijeni për rrezikun që mund të ndodhë.
Në një deklaratë nga Ambasada e Gjermanisë në Sarajevë, thuhet se ky ligj ende ndodhet në fazën e përgatitjes dhe se ende është herët për t’i vlerësuar detajet e tij.
Drejtoresha e Unionit të Integrimit në Bosnjë e Hercegovinë, Mirhunisa Zukiç në një prononcim për Anadolu Agency, tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Emigracion, Bosnja dhe Hercegovina do të hyjë në një rrezik të madh.
“Do të humbim një numër të madh të njerëzve tanë me profesione të shumta duke filluar nga inxhinieria. Në pesë vitet e fundit rreth 170 mijë persona u larguan nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Zukiç.
Ajo thotë se edhe ata të cilët janë kthyer në shtetet e tyre pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992-1995), me këtë ligj të ri do të shkojnë përsëri në shtetet e BE-së, duke filluar nga Gjermania.
Sipas saj, njerëzit në BeH janë të dëshpëruar për shkak të strukturës komplekse politike dhe mos mbajtjes së premtimeve të dhëna. Zukiç tha se për parandalimin e emigracionit duhet t’i kushtohet rëndësi dhe të dëgjohen problemet, e sidomos të të rinjve.
Sipas informacioneve të marra nga Instituti për Punë të Serbisë thuhet se njerëzit nga fusha e shëndetësisë përbëjnë grupin kryesor të cilët emigrojnë nga vendi ndërsa pas punonjësve të shëndetësisë vijnë shoferët e kamionëve.
Gjatë vitit 2018, 144 persona kanë emigruar dhe janë vendosur në Gjermani ndërsa në qytete të ndryshme të Serbisë, duke filluar nga Beogradi janë organizuar punëtoritë me tema “Jeta dhe puna në Gjermani”.
Miljana Pejiç nga një shoqatë rinore, tha se nga Serbia sidomos mjekët dhe infermierët janë të gatshëm që të emigrojnë në Gjermani, duke shtuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji këta persona do të largohen nga Serbia.
Po ashtu edhe Tatjana Miliçeviç e cila po përgatitet të emigrojë në Gjermani tha se i vazhdon studimet master në fushën e teknologjisë dhe se në të njëjtën kohë mëson gjuhën gjermane.
“Kushtet në Gjermani janë shumë të mira. Atyre u duhen ekspertë të fushave të ndryshme. Në të kundërtën me Serbinë, ata respektojnë njerëzit të cilët e zhvillojnë veten”, tha Miliçeviç.
Edhe në Mal të Zi i cili është shteti më i vogël në Ballkan për nga numri i banorëve, emigrimi në Gjermani është çështje aktuale.
Në një deklaratë nga Ambasada e Gjermanisë në Podgoricë thuhet se në vitin 2017, 876 persona kanë emigruar nga Mali i Zi në Gjermani. Kjo ambasadë njofton se në aplikimet për punë sidomos janë fushat si ndërtimtaria, gastronomia dhe kujdesi për të moshuar.
Një nga anëtarët e shoqatës së quajtur “Euromost” (Ura e Evropës) në Mal të Zi, Almer Mekiç thotë se gjatë 3 viteve të fundit rreth 7 mijë persona kanë emigruar në shtetet e Evropës, duke bërë të ditur se shumica e emigrantëve janë me diploma universitare.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë për vitin 2017, 5 mijë shtetas kosovarë kanë emigruar në Gjermani.
Antigona Ferrataj e cila dëshiron të punojë si infermiere në Gjermani tha se nuk ka arritur që të gjejë punë në Kosovë.
“Më kanë humbur plotësisht shpresat për të patur sukses në Kosovë. Më ka mbetur edhe një vit për t’i përfunduar studimet. Do të shkoj në Gjermani për të ardhmen e fëmijëve të mi”, tha Ferrataj.
Gjithashtu edhe Kroacia, e cila është anëtare e BE-së, është një nga vendet që po ballafaqohet vazhdimisht me emigrimin. Që nga viti 2013 kur është anëtarësuar në BE, rreth 300 mijë persona kanë emigruar në vendet e BE-së.
Autori i librit “Emigrimi i kroatëve në Gjermani: A po e humbim Kroacinë”, Tado Juriç, tha se kroatët nuk emigrojnë për shkak të varfërisë, por për shkak të asaj se e ndjejnë veten “të panevojshëm” në vendin e tyre. Ai shtoi se kroatët janë shumë të kënaqur me kushtet jetësore në Gjermani.
Demografi Stjepan Sterc vuri në dukje se në Gjermani jetonë 800 mijë kroatë. Ai theksoi se Gjermania çdo vit humb 90 mijë punëtorë dhe se në këtë aspekt shihet si një destinacion i rëndësishëm për emigrim nga njerëzit e rajonit. /AA