Loja e basketbollit ka një traditë të gjatë në Komunën e Gjilanit, kurse kulminacionin e shikueshmërisë e mbërriti menjëherë pas luftës në Kosovë, kur Palestra e Sporteve ishte e mbushur përplot dhe kur në Gjilan zbarkuan shumë lojtarë nga SHBA-të, Evropa dhe vendet e rajonit.
U investuan shumë mjete materiale, Drita bëri lojëra të pëlqyeshme, duke mundur ekipe me nam, por asnjëherë pa e prekur kreun dhe pa u stolisur me titull kampioni, apo me ndonjë kupë.
Sot, basketbolli gjilanas përpëlitet me vështirësi nga më të ndryshmet, mbi të gjitha me ato organizative dhe financiare dhe ka kohë që ekipi i seniorëve nuk garon në elitën e basketbollit kosovar.
Por, dikur Drita kishte një ekip kampion në vitin 1996/1997, kur ekipi gjilanas kishte bërë sensacion, duke u stolisur me titull kampioni.
Ishte kjo një kohë e vështirë, kur ndeshjet zhvilloheshin në salla të papërshtatshme, kur koha matej me kronometër dore e kur pikët shënoheshin me shkumës në dërrasë, ndërkohë që në sallat e ngushta, vija e trepikëshit puthitej me vijën anësore e shpesh nga interesimi i madh, publiku ishte mu skaj vijës anësore.
Me gjithë këto vështirësi, në Kosovë zhvillohej basketbolli e KB Drita arriti që të bëhet kampion. Në këto ditë të vështira, pati njerëz vullnetmirë që derdhin mjetet e tyre për zhvillimin e basketbollit, të atillë që nën kushtet e represionit serb udhëhiqnin ekipin dhe lojtarë që luanin pa kurrfarë kompensimi, vetëm e vetëm që të mbahej gjallë basketbolli kosovar.
Shumë sportistë dhanë kontributin e tyre, kurse po ua prezantojmë ekipin kampion të vitit 1996/1997, KB Drita, që në finale mundi Prishtinën e më pas kampionati ishte ndërprerë për shkak të gjendjes së luftës në Kosovë dhe kishte nisur vetëm pas çlirimit të Kosovës.
KB Drita, kampion më 1996. Nga e majta në këmbë: Sherifi (trajner), Osmani (anëtar i kryesisë), Bekteshi (kryetar), Maksuti, Hajrullahu, Maxhuni, Pepiqi, Ramadani, Rexhepi, Veseli (Kryetrajner), Selmani (anëtar i kryesisë), Murseli, Murati, Mehmeti, Xhemajli, Mahmuti, Bislimi./kryelajmi.com/.