Drita e Prishtina tashmë e kanë të qartë se çfarë pune i pret në garat ndërkombëtare. Ato të martën i kanë mësuar rivalët me të cilët do të përballen. Fati deshi që si Drita, si Prishtina kualifikimin ta kërkojnë përmes Gjibraltarit.
Në fakt, Drita do të luajë me kampionin e Andorrës, por kjo ndeshje zhvillohet në Gjibraltar në formë turneu. Në anën tjetër Prishtina në Ligën e Evropës, do të luajë me FC Europa-n skuadër kjo nga Gjibraltari.
Drita e Prishtina tashmë kanë nisur t’i vlerësojnë kundërshtarët e tyre, derisa njohësi e futbollit i parashohin si favorite dy skuadrat kosovare. Gjithsesi, ajo që më së shumti i brengos ekipet është përvoja në arenën ndërkombëtare dhe kjo mund të ndikojë në fushë.
Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Shpëtim Babaj, ka thënë se Drita do ta ketë shumë më të vështirë sesa Prishtina dhe atë për dy arsye. E para është mospërvoja e ekipit gjilanas dhe e dyta fakti që luhet vetëm një ndeshje dhe atë në fushë neutrale.
Në anën tjetër, Prishtina tashmë e ka të qartë se si luhet në Evropa, pasi edhe vitin e kaluar mori pjesë në këto gare dhe përveç kësaj, fati i skuadrës së Prishtinës vendoset në Kosovë, pasi këtu luhet ndeshja kthyese.
Gjilanasit nisin mobilizimin
Me të kuptuar se me çfarë kundërshtari do të ndeshen në Ligën e Kampionëve, Drita e Gjilanit kanisur ta analizojë rivalin dhe njëkohësisht e ka shtuar ritmin e punës. Drita tash e disa ditë i ka filluar përgatitjet për këtë paraqitje dhe po beson se do të arrijnë t’ia dalin më sukses këtij mini-turneu që luhet në Gjibraltar.
Të kujtojmë se Drita në rast fitoreje ndaj Santa Coloma-s më 26 qershor, në finale do të përballet me fituesin e ndeshjes La Fiorita – Lincoln. Tabori gjilanas është shumë optimistë se do t’ia dalë në këtë sfidë, e cila është e para në histori të kësaj skuadre.
“Përvoja e Dritës do të jetë hendikepi më i madh i kësaj skuadre. Unë i frikësohem se këtu mund të dështojë Drita”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Shpëtim Babaj, i cili shumë mirë e njeh futbollin që luhet në arenën ndërkombëtare pasi pati fatin të bëjë karrierë edhe në skuadra të ndryshme evropiane. “Edhe Drita edhe Prishtina duhet ta dinë që futbolli ë Evropë është ndryshe nga ai që luhet në kampionatin tonë, kështu që këtyre dy ekipeve ju duhen bukur shumë përforcime për të pasur sukses”, ka thënë Babaj