Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë më të rrezikuara nga agresioni rus sesa shtetet e Baltikut apo Moldavia.
Kurti në një intervistë për “The Independent” ka thënë se derisa Rusia për ta zgjeruar agresionin e saj edhe në Baltik e Moldavi, duhet të dërgojë forcat e saja ushtarake, në Ballkan Perëndimor nuk ka nevojë të bëjë, pasi e ka Serbinë.
Kurti ka bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe po ashtu i ka bërë thirrje NATO-s për më tepër vigjilencë.
“Mendoj se Ballkani Perëndimor është në rrezik më të madh sesa shtetet e Baltikut e Moldavia, pasi aty, Rusia duhet të dërgojë një pjesë të forcës së saj ushtarake e në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk ka fare nevojë ta bëjë këtë, pasi që Serbia është vlerë shtesë në agresionin e saj ushtarak. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur. Po ashtu insistoj që NATO të jetë dukshëm më vigjilente sesa që ishte. Në Moskë e kemi një lider të fuqishëm që po shkëput çdo rrugë të ikjes së tij. Ai nuk është person që duket i gatshëm të largohet në paqe, më tepër do të synojë luftën për zgjerim. Për këtë arsye jemi në rrezik”, tha Kurti.
Për pushtimin rus të Ukrainës ai ka thënë se është gjenocid, ka qëllime gjenocidale.
“Ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Ju shikoni qëllimin gjenocidal, duke filluar nga logjistika e demografia. Kur e sheh se çfarë po ndodh në Kiev, e sheh se po bëhet një Sarajevë e re. Unë shoh se po ndodh një gjenocid, ku shohin territorin pa ty. Kjo po ndodh në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës gjendet në vizitë në Londër, ku mori pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
“Kur përballesh me Federatën Ruse dhe përfaqësuesit e saj në Ballkanin Perëndimor mund të jesh i shokuar, por asnjëherë i befasuar. Pasi gjithë kohën të japin dëshmi dhe indikacione për sulmet e tyre të ardhshme”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës sheh ngjashmëri mes retorikave të Putinit me ato të Serbisë.
“Nuk njohin krimet e të kaluarës. Dhe në të njëjtën kohë kanë një lidhje të fortë dhe të gjerë me Rusinë, dhe sigurisht ne jemi shumë vigjilent dhe të shqetësuar, por jo të frikësuar”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka shtuar se është me rëndësi që shtetet e BE-së dhe NATO-s të marrin situatën shumë seriozisht e të bëjnë një hap para.
“Përvoja ka treguar se autokracitë rriten shumë më shpejt sesa demokracitë. Prandaj e mirëpres me të vërtetë vendimin e Bundestagut të dielën, për të pasur një pikëpamje krejtësisht tjetër sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes për mirëqenien, të drejtat dhe liritë evropiane. Dua të shoh vendet e tjera të BE-së dhe NATO-s, duke e marrë situatën shumë më seriozisht dhe duke e bërë një hap përpara”, tha Kurti.