Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019, në këto zgjedhje kandidojnë disa parti, koalicione dhe shumë kandidatë për deputet. Në këtë rast gazetaliria.com do të zhvilloj intervistën TOP5 me znj. Labinotë Demi-Murtezi kandidate për deputet nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Gazeta Liria: Znj. Demi-Murtezi, na tregoni pse keni vendosur të jeni pjesë e garës për legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës?
Labinotë Demi-Murtezi: Pak kohë para dorëheqjes se ish kryeministrit Haradinaj, une isha anëtarësuar në Levizje. Pastaj erdhen zgjedhjet e parakohshme, kësisoj edhe obligimet konkrete filluan. Tani jemi ne përfundim të garës për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Gazeta Liria: Cilat janë hapat kryesorë që ju do të ndërmerrni në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës?
Labinotë Demi-Murtezi: Personalisht kam qenë gjithmonë e interesuar për kauzat gjinore. Por krahas kësaj edhe përkushtimi në fushën e shëndetësisë dhe mireqenies sociale. Në këtë kontekst, ligji për sigurimet shëndetësore dhe mirëqenia që ndërlidhet me implikimet direkte buxhetore do të vazhdojnë të jenë fushat ku une do të kontriboja me perkushtimin më të madh.
Gazeta Liria: Cilat do të jenë tri fushat kryesore të fokusit tuaj nëse zgjedheni si deputet në legjislaturës e ardhshme?
Labinotë Demi-Murtezi: Shëndetësia, arsimi dhe të drejtat e përgjithshme njerëzore, janë tri fushat e mia të parapëlqyera ku do të fokusohesha me shumë vullnet.
Gazeta Liria: Cila është qasja juaj ndaj mjedisit (Ndotja e ujit, ajrit dhe tokës)?
Labinotë Demi-Murtezi: Ky është një obligim qytetar/moral, ku nuk duhet të kursehet asnjë qytetar. Ne po shkojmë drejt ngrohjes së vazhdueshme globale dhe dëmtimit të eger të natyrës, gjë që tashmë ka filluar të na hakmerret dhe do të vazhdojë të na hakmerret edhe më fuqishëm në të ardhmen. Andaj, ajo qe më se paku mund të bëjmë është që të mbjellim sa më shumë drunj dhe ta ruajmë sa më shumë ambientin.
Gazeta Liria: Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?
Labinotë Demi-Murtezi: Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, që të dalin sa më shumë të dielën për votim, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare. Të votojnë për ata që u kane mbushur mendjen e zemrën që do të bëjnë ndryshimin e shumëkërkuar, le të votojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!