Rrëfime interesante në 6 vazhdime…
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Atik mëhalla – Lagja e vjetër! Kujtime, gjurmë, ngjarje…
Atik mëhalla është lagja e radhës për të cilën dr. Shevqeti sjell rrëfimin interesant për banorët, kush u vendos në këtë lagje, për xhaminë Atik, lumin Banja, mullinjtë, teqeja, çezmet, etj, etj…
Lexoni: Ku shtrihej kjo lagje? Ku ishin mullinjtë? Ku ishin çezmet? Ku buronte lumi Banja dhe përse përdorej? Ku i lanin romët rrobat e tyre? Cili lumë e furnizonte hamamin e Hyrës me ujë të vakët? Etj, etj…
1.
Kujtimet për mëhallën e parë te Gilanit janë të thella, sa që përshkrimi i kujtimeve të mia në disa vazhdime nuk mund të përshkrujanë shpirtin tënd që e pate të pasur. Ty Atik/e vjeter/ mëhallë të njohëm ne vendasit edhe me emrat “Arap mëhalle”, për shkak të imamit të parë të xhamisë -Ahmet Hasan “Arabistanit”, të njohëm edhe me emerin Bajrak mëhallë, pasi me virtytet e tua qëndrojshe në mendjen tonë si bajrak(flamur)!
Ah Atik mëhallë, ti shtriheshe prej shtëpisë të Okllapëve dhe Tahir babës deri te laku për Gavran, ku filllon Muhaxhir mëhalla, prej lumit Dobrusha deri në Karadak mëhalle dhe shtëpia e Mulla Sefës. Ne mes, si një aortë kalonte lumi Banja me ujë të vakët (i vokët)që kishte burimin te baseni ku sot është objekti i “Hidromoravës”, kalonte nëpër bashqet (kopshtet) e Mustafë efendiut, pastaj te mulluri i Novobërdalive, zdirgjej nëpër Çiflik mëhallë dhe vazhdonte te Hamami i Hyrës. Lumi i Banjës, pos ujitjes së kopshteve ishte edhe lumi ku romët lanin rrobat me perajkë te mulliri i Novobërdalive, qe më vonë ne e njihnim si “mulliri i Fekovitëve”.
Ndërkaq, në hapësirën në mes të Gjimnazit dhe Shkollës Teknike, aty ku është salla e sportit e kësaj të fundit ishin varret e para muslimane të qytetit, ku me rastin e gërmimit (hapjes) të themelit të saj është dal (vërejtur) varri i nusës me pajë. Në këtë mëhallë është Atik xhamia e punuar me modelin e kasnakut, sipas yrnekut (modelit) të xhamisë së Ohrit, që e bëri Ahmet Hasan “Arabistani”, që i takonte tarikatit “Halveti”. Afër Atik xhamisë ishte tekeja (teqeja) Halveti e njohur te banorët si “tekeja e Hamdi shehëve”, dhe medreseja. Xhamia Atik në enterijer kishte tablo halvetiane, lulat me ngjyrë të kaltër që simbolizojnë lumin “Kevser në Xhenet”. Kjo mëhallë kishte edhe çezmen e njohur të Tuleshit prane xhamisë dhe çezmën te shtëpia e Agushagëve.
Ah Gilan, Ah zaman, ah Atik xhami, me 1846 kur Gilani ishte pjesë e kazasë së Shkupit kishe 45 shtëpi me 235 banorë nga 1025 banorë sa kishte qyteti. Në këtë mëhallë të parët u vendosën të shpërngulurit nga Novobërda të njohur si Novobërdali, Dizdarët, pastaj u vendosën: Mustafa aga, Agushagallarët, Zaimi, Medinagët, Tefik Qerkezi, Kikët, familja e Okllapëve, familja e Hysen Pashës, Ibrahim Mehmet, Pazvanët, muhaxhirët Klaiqi, Slishanët, Svircakët, Tërstenët, Koretinët, Fekovitët, Llashticët, Maliqajt, Oranët, Bashët, Makreshët. Velegllavët, Sedllarët, Tugjecalitë (Hajdarët e Buzukët) dhe Zarbincët (vëllezërit Shaipi dhe Ademi).
Ah Gilan, Ah zaman, ah Atik mëhallë, shpirti yt ka pasur gëzime dhe vuatje. Me 1831 Hysen Gradaqaci dogji mëhallën, Sanije hanmeja shiti arin dhe gjërat e argjendta për renovimin e xhamisë. Atik mëhalla kishte edhe sokaqet e veta, “Cako sokakun” që gjendej afër haremlukut të Hysen Pashës, sokaku i Ibrahim Mehëve, ku banonte Qahil Stanevci, sokaku i Klaiqëve, ku jetojnë Klaiqët, Novobërdalitë, Pazvanët, Janovalitë dhe Malishevalitë, sokaku i njohur si “Pishtol mëhallë”, ku jetonin Livoqët, Bytyqët, Llashticët, Ramush Svirca, Masar Gjinolli dhe Mustafë agaa, babai e Sabit dhe Halim agait, Idriz “pushkari”. Me 1870, Hysen Milla, i cili fitoi titullin “pasha”, me 1904, ishte edhe tregetar i njohur, ndërtoi sarajet e veta / shtëpia e Okllapëve dhe Shkolla e Muzikës/. Hysen pashai ishte dhëndër i Sylejman agës nga Vushtrria, njëherit edhe djali Bejtullahu kishte për bashkëshorte vajzën e tretë të Sylejman agës. Agushagallarët kishin prona të mëdha që shtriheshin nga Shkolla Ekonomike deri te rendi i parë i Gavranit. Mustafa agai kishte kopshtin më të madh në qytet, që shtrihej deri te shtëpia e Mulla Sefës, babait të Muharrem dhe Mustafa Latifit.
Ah Gilan, ah zaman, ah Atik mëhallë! Njerëz bujarë jetonin në gjitin tënd! Ata ta pasuruan shpirtin, ta zgjatën jetën, krahërori yt gjithnjë rritej…. Sepse, aty jetonte shpirti i pasur i qytetarit, sjelljet elegante të “hanumave” (zonjave-gra pedante); dëgjohej muzika e Karadak mëhallës që e quanin edhe Çiçek mëhallë/ pasi romët luanin lojën çiçek/.
Në gjirin tënd mulliri i Novobërdalive me tre hisenikë furnizonte banorët me miell, çezmja e Tuleshit furnizonte me ujë, ndërsa banorët predikonin lutjet në Atik xhami dhe ne teqenë Halveti. Në ditën e Shëngjergjit teqeja e Hamdi shehëve ishte e mbushur me vizitorë, xhamia Atik nuk kishte vend të mjaftueshëm në Ramazan dhe Bajram. Ne oborin e Atik xhamisë gjendeshin katër varre: Ahmet Hasan “Arabistanit”, Ibrahim Dindarit, Abdurrahim Efendiut dhe mulla Ademit.
Kam çka të shkruaj për ty Atik mëhallë, ky është vetëm fillimi i kujtimeve të mia. Do të shpalosi shpirtin e banorëve të kësaj mëhalle, gëzimet dhe dhembjet, “tabiatet” (shprehitë) e pasura që i ke, do të shpalosi shpirtin, do ta shoh mimikën si po qesh dhe vuan, duke rikthyer kohën e ngjarjet e asaj kohe në kohën tonë!
Gjurmët na ndjekin pas, rrëfimet janë rikujtimi që na lidh zingjirët e jetës…!
Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!
/Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/
Lagja e vjetër – Atik mëhalla – ju rikthejmë kujtimet për jetën e dikurshme!
Ndani këtë artikull