Ata mbeten lapidarë! I dhanë qytetit rrezatim dituror, kulturë e jetë…
Lagja legjendare e mësuesve dhe mësueseve- Beglermëhalla!
Pjesa III, vazhdimi 2
/Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!/
Në rrëfimin e sotëm do të lexoni kujtimet e dr. Shevqetit për jetën intelektuale të lagjës legjendë – Beglermëhallës, për rrezatimin kulturor, dituror, sportiv, shëndetësor…, që vazhdon të ndjehet e përjetohet edhe sot!
Në vazhdim lexoni për mesueset e mësuesit, për veteranët e arsimit, për mësuesit e muzikës që ekzekutonin bukur me violinë, për banorët e kësaj lagje që me shpirtin e tyre punues i dhanë qytetit më shumë se qyteti që sot po iu ofron banorëve të kësaj mëhalle!
III.2.
Ah Gilan, ah zaman, ah Beglermëhallë! Si mund ta përfundojë këtë kaptinë për ty pa cekur mësimdhënësit që na ngritën në dituri, pa përmendur prindërit tanë që na edukuan!
Veteranët e arsimit që kontribuan në hapat e parë të jetës tonë intelektuale, si: Kadrije Rujdi me të vëllanë Jashar Jasharin, Nexharije Llozanën, Hyrije Kamberin, Ekrem, Mevlyde, Enver, Didare dhe Muzafer Gjinollin.
Familja Jakupi e Desivojcëve dha një plejadë të mësimdhënësve: Tefikun, Mehmetin, Rexhepin, Ismetin, Isen, Rafeten dhe Ylfeten. Veteranë arsimi ishin edhe Osman dhe Qerim Mustafa, të njohur si Muçibabë.
Janë të njohur dhe nuk harrohen dot mësuesja Ismete Ahmeti me bashkëshortin Kurteshin, i cili ligjëronte matematikë dhe vajzën Esferen, e martuar të Mullasherifët. Mësuesja Nazmije ishte motra e Kurteshit, e martuar per dr. Remziun, që u shpërngul në Stamboll.
Në këtë lagje ka jetuar edhe mëuesi im i muzikës, pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan, Xhevat Ismajli, i cili më jepte këtë lëndë gjate kohës kur isha gjimnazist. E, Vojo Trumpiqi ishte mësues dhe poet i qytetit.
Kjo lagje i dha shumë autoritet, kulturë e gjallëri qytetit të Gjilanit. Mëhallë e beglerëve, por mëhallë edhe e mësimdhënësve, e kuadrove që përhapën dije e rrezatuan kudo që vepruan, në secilën fushë të jetës.
Xhylshene Berisha kontribuoi shumë si drejtoreshë e Gjimnazit, Dragi Neshiqi ishte drejtor shkolle me vite në “Vuk Karaxhiq”, Dushko Rajçiqi na kënaqte me violinën e tij në shkollen “Musa Zajmi”. Profesori Bojoviq ishte klient i imi dhe drejtor në Shkollën e Larte Pedagogjike (ShLP).
Jeta në këtë mëhallë zhvillohej jo kah frynë era, por kah frynë e ardhmja: kah arsimi, arti, sporti, shëndetësia…
Kjo lagje dha shumë për të mirën e qytetit. Banoret e kësaj mëhalle, me shpirtin e vet fisnik, i dhanë qytetit më shumë se qyteti që iu ofroi banorëve të kesaj lagjeje.
Asnjë pemë e mbjellur në këtë mëhallë; asnjë zonë gjelbëruese, por vetëm kafiteri, zhurmë, pluhur e mbi 50 barnatore. Në vitin 2018, më në fund u bë një bibliotekë, që ndoshta është një xixëllonjë për jetën intelektuale të qytetit e rajonit.
Ah Gilan, ah Beglermëhallë! Unë nuk do të harroj ty, pasi në shpirtin tim kam shumë kujtime!
Ndoshta një ditë vullkani i kujtimeve përsëri do të shpërthejë dhe do kethehem në gjirin tënd për evokime…
Lagje lapidar mbetesh ti, përgjithmonë!
Ah! Sa shumë gjurmë ke lënë…!
/Fundi i shkrimit për lagjen emblemë – Beglermëhallën e Gjilanit/.
/Autor: Dr. Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp (redaktoi): Nexhat Buzuku/