Një qytetar nga lagjja Dheu i Bardhë në Gjilan ka denoncuar një rast shqetësues, pasi motori i tij është dëmtuar nga një pusetë e pasiguruar në rrugë. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, kur kapaku i pusetës nuk e ka përballuar peshën e mjetit, duke bërë që rrota e parë e motorit të zhytet brenda saj.
Në reagimin e tij, qytetari thotë se punëkryesit dhe institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që pusetat të ndërtohen dhe të vendosen në mënyrë që të përballojnë edhe mjete të rënda. Ai shton se një neglizhencë e tillë nuk shkakton vetëm dëme materiale, por paraqet edhe rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
“Është e papranueshme që pusetat të mos jenë të sigurta. Nuk bëhet fjalë vetëm për dëmtimin e motorit, por për sigurinë e të gjithëve që lëvizin në këtë rrugë. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, por mbi të gjitha është përgjegjësi e punëkryesve dhe komunës që të garantojnë kushte të sigurta,” – tha ai.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe më herët në qytet, ku pusetat e dëmtuara apo të pasiguruara kanë shkaktuar incidente. Qytetarët i bëjnë thirrje Komunës së Gjilanit dhe kompanive kontraktuese që të ndërhyjnë menjëherë, duke inspektuar dhe riparuar të gjitha pusetat problematike, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla dhe të garantohet siguria publike.