I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se drafti i parë i paraqitur nga Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit gjatë takimit me liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk është përfundimtar, sipas tij, është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.
I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar diplomaten zvicerane, Livia Leu, me të cilën, ndër të tjera, ka diskutuar për ecurinë në dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu ka bërë të ditur Lajçak, nëpërmjet një postimi në rrjetin social në Facebook.
“Isha shumë i lumtur që u njoha me sekretaren e shtetit, Livia Leu dhe diskutova mbi ngjarjet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu e informova për ecurinë në dialog dhe shpreha mirënjohjen time për ftesën dhe mbështetjen e fuqishme dhe aktive të Dialogut të lehtësuar për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai.
Po ashtu, Lajçak gjersa ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë bërë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të tij.
Ai ka deklaruar se drafti i parë i paraqitur nga Ekipi Menaxhues nuk është përfundimtar, sipas tij, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve.
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Megjithëse, drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak.
Ndër të tjera, ai ka thënë se është i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës.
“Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë tutje ai.
Për themelimin e këtij Asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë Asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.
Sipas zyrtarëve të BE-së, hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë në Bruksel me paraqitjen e draft-statutit të tij, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.
Drafti-statuti u paraqit nga një Ekip Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Kurti ka thënë se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Vuçiq ka kritikuar Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë”.
Për BE-në, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, as teksti i këtij drafti e as reagimi i palëve ndaj tij nuk kanë qenë befasi.