Të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka mbetur edhe një muaj në krye të këtij posti. Para se të përfundojë në janar mandatin që iu zgjat, Lajçak para festave të fundvitit mori “një moment për të reflektuar për vitin e kaluar”. Me një ankesë që s’i dolën pritshmëritë, Lajçak, megjithatë, u shpreh i kënaqshëm për “hapat e vegjël” që janë bërë deri tash në procesin e shumëkritikuar për mungesë të progresit.
Emisari Lajçak dje u nxitua që para se të nisë kremtja e Krishtlindjeve të bëjë një përmbledhje pak më të gjatë se ato të përjavshmet në Facebook mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Derisa hyjmë në sezonin e festave dhe kalojmë kohë me të dashurit tanë, është gjithashtu një moment për të reflektuar për vitin e kaluar”, tha Lajçak.
Ai edhe në këtë postim e theksoi se ajo që është arritur në proces, duke iu referuar Marrëveshjes së Ohrit, është e mirë për të dyja palët.
“Në dialog, përderisa progresi ka qenë më i ngadalshëm nga sa kisha shpresuar, ajo që kemi arritur vazhdon të jetë para së gjithash në të mirë të qytetarëve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”.
Derisa u ankua për progres të ngadalshëm, Lajçak u shpreh entuziast për një ndër “hapat e vegjël” që është arritur për çështjen e personave të zhdukur.
“Megjithatë, unë jam i inkurajuar nga hapat e vegjël përpara, siç është krijimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Është koha e fundit për familjet dhe të dashurit që të zbardhet fati i të atyre që ende nuk dihet. Komisioni i Përbashkët është vendosur të sigurojë shtytjen politike shumë të nevojshme”.
Në takimin e fundit që Lajçak e kryesoi më 17 dhjetor me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në Bruksel u ra dakord për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit më 2 maj 2023.
Komisioni i Përbashkët i kryesuar nga Lehtësuesi i BE-së do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, i cili veçanërisht do të monitorojë bashkëpunimin e palëve për identifikimin e vendeve të varrimit dhe gërmimet vijuese.
Në këtë takim, Laçak tha se ka falënderuar kryenegociatorët për bashkëpunimin gjatë procesit.
“Pak para festave, unë udhëhoqa takimin e kryenegociatorëve me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi dhe drejtorin Petar Petkoviq. I falënderova për bashkëpunimin e tyre të mirë gjatë periudhës së kaluar. Takimi u zhvillua në mes të një jave të ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Samitin BE- Ballkani Perëndimor dhe miratimin e Konkluzioneve të Këshillit për Zgjerimin”, shkroi Lajçak.
Lajçak e potencoi edhe këtu se si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, këto konkluzione dërgojnë “një mesazh të qartë se nuk do të ketë integrim në BE pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe ofrojnë një plan të detajuar të punës për vitin e ardhshëm, të miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”.
Lajçak listoi edhe njëherë pritshmëritë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit 2023:
De-përshkallëzimi i tensioneve,
Llogaridhënie për sulmet e 2023-ës,
Riintegrimi i serbëve të Kosovës,
Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe,
Njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
Lajçak tha se në takimin e 31-të e të fundit për këtë vit që ka udhëhequr mes të dyja palëve në nivel kryenegociatorësh, Bislimit e Petkoviqit iu theksuan dy gjëra: normalizimi është ekuivalent me integrim europian dhe se nuk ka ndarje mes këtyre dyjave.