Emisari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i lumtur që Kosova ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve.
Në një postim në Twitter, Lajçak ka thënë se do të vazhdojnë diskutimet në një takim të nivelit të lartë, përcjell teve1.info
“Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe për në Beograd që të bëjë të njëjtën gjë me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.
Lajçak ka qëndruar dje në Kosovë, ku ka zhvilluar takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.
Pas këtij takimi, ai ka bërë të ditur se në takim me kryeministrin Kurti dhe ambasadorin amerikan është diskutuar edhe propozimi gjashtë pikësh i kryeministrit për Asociacionin, duke mos dhënë detaje.
Ai ka thënë se vizita e tij në Kosovë është në kuadër të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në bazë të propozimit evropian dhe për një takim të nivelit të lartë.
Nga ana tjetër, Kurti ka njoftuar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe e konsideron atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara. Megjithatë ai ka shtuar se për këtë plan do t’i parashtrojë disa pyetje gjatë bisedimeve në Bruksel.
Pas vizitës në Kosovë, Lajçak do të qëndrojë sot në Serbi. /Teve1.info/