I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përcaktojnë marrëveshjen finale. Ndërsa, nëse marrëveshja përfundimtare duhet ta ketë edhe njohjen reciproke mes Serbisë, Lajçak tha se këtë nuk e imponon, por shtoi se kjo është në dorën e dy shteteve fqinje që të vendosin. “Këtë duhet ta vendosë Kosova dhe Serbia, nuk duhet të vendos unë në emrin tuaj”, tha ai.
Sipas tij, kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit.
Pas shtimit të diskutimeve se marrëveshja finale mund të mos përfshijë njohjen reciproke, Lajçaku i pyetur nga gazetarët pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, ka thënë se marrëveshjen finale duhet që ta përcaktojnë Kosova dhe Serbia.
“Kjo s’varet nga unë, që të vendos në emër tuaj. Për këtë është dialogu”, tha Lajçaku.
Ai nuk dha shumë detaje nga takimi përveç që tha se ka progres në këto bisedime që po i zhvillon shpesh së fundi.
“Nuk do të jap detaje, por takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”, u shpreh Lajçak.
I pyetur për kërkesën që BE dhe SHBA i kanë bërë Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave, Lajçak tha se nuk mund të flas.
“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë në këtë çështje”, u shpreh lajçak.