Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se ka pranuar rekomandimin për të zgjatur mandatin e emisarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe për këtë pritet që të marrë vendimin këshilli.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Ana Pisonero, në një konferencë për media të premten u shpreh se tashmë është lëshuar një rekomandim për këtë cështje.
“Tashmë është lëshuar një rekomandim për të zgjatur mandatin e Miroslav Lajçakut në detyrë për pesë muaj, pra deri më 31 janar 2025”.
“Vendimin për këtë do ta marrë Këshilli”, tha Pisonero.
Lajçak, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, për herë të parë mandatin e Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e kishte marrë më 2 prill të vitit 2020.
Pas përfundimit të mandatit, BE-ja ia kishte zgjatur mandatin edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj.
Por, kjo nuk kishte qenë zgjatja e fundit e mandatit.
Sllovakut, më 18 korrik, Unioni ia kishte besuar edhe një herë – me shumë gjasë e fundit – detyrën (24 muaj) në krye të negociatave për të arritur një marrëveshje kompromisi mes dy vendeve ballkanike që assesi të merren vesh, transmeton albanianpost.
Gjatë kohës kur Miroslav Lajçak ka negociuar procesin e dialogut nuk është bërë ndonjë progres domethënës, madje situata mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë tejet e tensionuar.
Po ashtu, ka pasur kritika sidomos nga zyrtarët kosovarë se ndërmjetësuesi Lajçak “po mban anën” e Serbisë.
Arritja më e madhe e sllovakut, në detyrën që Unioni ia kishte besuar, është Marrëveshja Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars).
Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, dhe shefit të tij, Josep Borrell, për atë që tani njihet si Marrëveshja Bazike, përmbante 11 nene, përmes të cilave Bashkimi Evropian e ShBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.
Aty Kosova, pos tjerash pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.
Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.
Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshje – aktualisht – ka mbetur në hije, pasi që palët, përkatësisht Kosova dhe Serbia, në vend të implementimit, po akuzojnë njëra tjetrën për shmangie të përgjegjësive nga ajo çka vetë kanë pranuar.