Sportdashësit e Gjilanit dhe gjithë ata që kanë ndjekur dhe mbështetur klubin e basketbollit “Drita” janë tronditur nga lajmi i fundit: ky klub, që ka qenë simbol i basketbollit gjilanas, tanimë është shuar. Ky lajm u bë i ditur nga lojtari i klubit, Qendrim Demi, përmes një postimi emocional në Facebook, ku ai njoftoi përfundimin e rrugëtimit të klubit.
Vetëm pak muaj më parë, kishte shpresë për një të ardhme të ndritshme të KB Drita, pasi klubi afroi pranë vetes investitorë të rinj dhe prezantoi një drejtues dhe trajner të ri. Megjithatë, duket se planet e reja nuk mundën të konkretizohen. Nuk janë dhënë ende detaje për arsyet e sakta të këtij zhvillimi, por mbështetësit e klubit dhe të gjithë të lidhurit me basketbollin e qytetit janë në trishtim dhe paqartësi.
Në postimin e tij të plotë, Demi kujtoi historinë dhe rëndësinë që ka pasur KB Drita për komunitetin e Gjilanit. Ai përmendi me krenari trashëgiminë e klubit dhe ndikimin që ka pasur për breza të tërë të të rinjve. Klubi ka qenë shumë më tepër se një vend për lojëra, ishte një hapësirë ku fëmijët dhe të rinjtë gjenin pasion, shpresë, dhe krenari përmes sportit.
Postimi i Qendrim Demit:
Përfundon rrugëtimi i klubit të basketbollit “Drita” meshkujt . Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit.
Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjët e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund.
Ndonëse “Drita” sot shuhet, shpresa mbetet që një ditë të rilindë për t’i dhuruar komunitetit tonë sërish atë ndjesinë e veçantë që vetëm një klub si ky mund të ofronte.
🔵⚪️