Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për media, se edhe sot, në bazë të listës së parë, nuk ka rezultuar asnjë person pozitiv me Covid 19.
“Profesori Naser Ramadani të cilit i kërkoj falje për ekskluzivitetin, ma dha një lajm të mirë. Në listën e parë deri tani, janë 93 të testuar dhe nuk e kemi asnjë të infektuar as sot”.
Vitia ka folur edhe për hapjen e bizneseve, shkollave e çerdheve. Sipas tij, kjo mund të ndodhë në fazën e tretë që nis më 1 qershor, por paraprakisht do të bëhet një vlerësim i situatës epidemiologjike.
“Nëse kjo vazhdon akoma, ne do ta bisedojmë edhe me IKSHPK-në dhe mund të ndodhë që disa aktivitetete të fillojnë para datës 1 qershor”.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 1,032. Prej tyre, 29 kanë vdekur dhe 789 janë shëruar.