Drejtori i NPL “Tregu” Sh.A, Bajram Isufi, ka bërë të ditur se ndërmarrja ka vendosur të zgjerojë orarin e funksionimit gjatë sezonës verore, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët dhe mërgimtarët që qëndrojnë në vendlindje.
Sipas njoftimit, nga 19 korriku deri më 30 gusht 2026, Tregu i Gjelbër, Lokalet Afariste dhe Parkingu i NPL “Tregu” do të jenë të hapura edhe gjatë ditëve të diel, duke u ofruar qytetarëve më shumë mundësi për të kryer blerjet dhe shërbimet e tyre.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, Parkingu i Ndërmarrjes do të funksionojë çdo ditë, me orar të zgjatur nga ora 07:00 deri në 24:00.
Ky vendim synon t’u përgjigjet nevojave të rritura gjatë muajve të verës, kur numri i vizitorëve dhe mërgimtarëve në qytet është më i madh.
Në fund të njoftimit, drejtori Bajram Isufi ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mirëkuptimin, duke theksuar se NPL “Tregu” mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve për të gjithë.

