Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Policinë e Kosovës dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, kanë lansuar softuerin për pagesën online të policave të sigurimit.
Ministri i Brendshëm Bejtush Gashi tha se ky projekt do të jetë i mirëpritur nga bashkatdhetarët.
“Ky projekt mundëson që bashkatdhetarët të marrin Kartonin e Gjelbër. Është projekt i mirëseardhur dhe do të jetë i mirëpritur nga bashkatdhetarët”, tha ai.
Zv.ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se ky lansim i policës online do të ndihmojë dhe do të krijojë lehtësi për qytetarët të hyjnë në Kosovë.
“Ne kemi filluar në nëntor me këtë iniciativë që t’u lehtësohet bashkatdhetarëve ardhja në Kosovë. Do të lehtësohet në mënyrë drastrike hyrja. Jemi në konsultë që të hiqet kjo barrë e madhe që ndër vite ka sjellë vështirësi për bashkatdhetarët”, tha ai.
Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv i Byros së Sigurimeve, tha se blerja e policës online do të lehtësojë ardhjen e bashkatdhetarëve, raporton EO.
“Sot do të fillojë projekt i ri ku do të mundësohet blerja e policës online. Kjo do të ndihmojë dhe lehtësojë ardhjen e bashkatdhetarëve në Kosovë”, tha ai.