Drita të martën do të zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme në histori, derisa në kuadër të rrethit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve do të përballet me Malmon nga Suedia.
Për këtë sfidë trajneri Bekim Isufi nuk do të mund të llogaritë në Fidan Gërbeshin, i cili u ndëshkua me karton të kuq në duelin e rrethit paraprak ndaj Lincoln.
Por, lajme të mira vijnë për Ardian Limanin, i cili pavarësisht se mori dy kartonë në fazën paraprake do të ketë mundësi që të paraqitet në këtë ndeshje, shkruan Gazetasheshi.com.
Kështu me shumë mundësi repartin e mbrojtjes do ta formojnë dyshja Ardian Limani – Lirido Leci, ndërkohë që Arbër Shala pritet të zhvendoset në krahun e majtë, ndërsa Viktor Kuka në krahun e djathtë.
Lajm tjetër i mirë për kryetrajnerin gjilanas është edhe regjistrimi i sulmuesit Betim Haxhimusa për këtë ndeshje, i cili për shkak të dokumentacionit mungoi në turin paraprak.
I gatshëm pritet të jetë edhe mesfushori i ardhur nga Gjilani, Zgjim Mustafa.
Dueli i parë ndërmjet Dritës dhe Malmos pritet të zhvillohet më 10 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë me fillim nga ora 20:45.