Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që të rihapë shqyrtimin gjyqësor për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, për vrasjen e të cilit po akuzohet Shaban Gogaj, shkruan Reporteri.net.
Në seancën gjyqësore u tha se vendimi është marrë pasi janë analizuar dhe vlerësuar të gjitha shkresat dhe të gjitha provat e lëndës në fjalë. Ndryshe përkundër kërkesës së babait të Agonisit është refuzuar kërkesa për përjashtim të trupit gjykues nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha.
Babai i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit ku djali i tij mbeti i vrarë në vendin e punës nga i akuzuari Shaban Gogaj.
Pas rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj, në seancën e 16 marsit, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga trupi gjykues të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat sipas tij do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridik, si dhe ka vendosur që të ricaktojë prokurorin e ri për këtë lëndë. /Reporteri.net