KOSOVA KA USHTRI!
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro projektligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Përmes këtyre projektligjeve, FSK transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa ndryshuar emrin e saj.
Shqyrtimi i parë i Projektligjeve për Forcën e Sigurisë u bë në seancën e 18 tetorit ku morrën 98 vota pro, asnjë kundër ose abstenim.
Historiku i transformimit: Nga UÇK në TMK e FSK dhe tash në USHTRI
Me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 nisi edhe transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës duke përfunduar kështu në vitin 2000.
Më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK-së, dhe krijimi i një force të re, njofton Klan Kosova.
Shpërbërja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj.
Më 21 janar të vitit 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.
Deri më tani, misioni i FSK-së ishte që të kryejë operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.
Më 4 mars të 2014-ës Qeveria asokohee drejtuar nga Hashim Thaçi pati marrë vendim që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovë, si ushtri të Kosovës./klankosova.tv./