Konsulli i Republikës së Kosovës, Lulzim Krasniqi, përmes një letre të siguruar nga Gazeta Express ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme e ka shkarkuar atë nga pozita që mbante në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.
Siç shkruan në letrën e tij Kransiqi, lajmi për shkarkim i ka shkuar përmes një e-maili të dërguar nga zv.sekretari i MPJD-së, Behar Isma.
Krasniqi në letrën e tij dërguar Gërvallës ka treguar se tashmë në New York s’do të ketë kush të ofrojë shërbime konsullore në prag të pushimeve të verës kur kërkesat për dokumentacione do të arrijnë kulmin.
Me këtë vendim, ju sapo mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës-këto ditë kur kërkesat e tyre për shërbime arrijnë kulmin. Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit.
Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju!”, thuhet në letrën e tij.
Krasniqi tutje përmend edhe punën e flamurit të UÇK-së që e kishte mbajtur në Konsullatë, duke thënë se ka qenë ministrja Gërvalla që në muajin prill e kishte kërkuar largimin e flamurit nga Konsullata e Kosovës atje.
“E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD”, shkruan në letrën e tij Krasniqi.
Krasniqi vendimin për shkarkimin e tij e ka quajtur si arbitrar dhe tendencioz dhe ka paralajmëruar se do të ankohet në institucionet përkatëse apo edhe në Gjykatë.
“Me këtë rast, kundër vendimit tuaj arbitrar e tendencioz do të ankohem në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, derisa betejën legale e ke të humbur, aty ose në gjykatë, i cili institucion, bashkë me institucionet tjera të vendit, janë krijuar me mund e me sakrificë”, ka shkruar tutje në letrën e tij Kransiqi.