Info Plus
LAJME
Lansohet fushata që synon t’i sensibilizojë qytetarët për vendosjen e rripit të sigurisë
PLUS INFO01/03/2019
Me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë, Këshilli për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë lansuar fushatën vetëdijesuese “Vendose rripin, për sigurinë tuaj”, aktivitet i cili do të zgjasë gjatë gjithë muajit mars.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovë kanë shpërndarë edhe fletushka për pjesëmarrësit në komunikacion tek rrethrrotullimi i magjistrales Prishtinë-Mitrovicë.
Fejzullah Mustafa, nga Departamenti Koordinues i Këshillit të Sigurisë Rrugore më kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës tha se me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve kanë ndërmarrë këtë fushatë që ka për fokus vendosjen e rripit të sigurisë.
Mustafa potenconi Ministria e Infrastrukturës është duke punuar në sinjalizimin e të gjitha rrugëve.
“Kemi paraparë që muaji mars të jetë muaji sensibilizues për siguri rrugore. Kemi filluar me fushatën vetëdijëseuse për fushatën rrugore lidhur me përdorimin e rripit të sigurisë për shoferët dhe pasagjerët e automjeteve. Njëherit kjo fushatë vetëdijësuese do të vazhdojë deri në fund të muajit, dhe do të jetë i shpërndarë në të gjitha regjionet e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Jeton Rexhepi nga Departamenti Policor për Trafik Rrugor, u shpreh se vendosja e rripit të sigurisë ofron më shumë siguri në rast të aksidenteve.
Sipas tij, vetëm në vitin 2018, Policia e Kosovës ka shqiptuar rreth 50 mijë gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë.
“Në njëfarë forme në vetëdijësimin e pjesëmarrëseve në trafikun rrugor dhe përdorimin e rripit të sigurisë , i cili me një pjesë iu ofron siguri në momentet apo rastet eventuale ku mund të kenë aksidente. Nga praktika ka rezultuar se vendosja e rripit të sigurisë për pjesëmarrësit e përfshirë në aksidente ka shpëtuar nga lëndimet serioze, apo lëndimet për jetë kështu që me vendosjen e rripit sigurisë Policia e Kosovës do të ketë më pak angazhim për shkak se nuk do të kemi të marrim masa ndaj kundërvajtësve të tillë….Sa i përket vitit 2018 diku është 10 deri 12 për qind e numrit të përgjithshëm të kundërvajtjes që është i lëshuar për rripin e sigurisë, do thotë që janë rreth 50 mijë kundërvajtje që janë shqiptuar vetëm për rrip të sigurisë“, u shpreh Rexhepi.