Lansohet platforma “Pasuria e Politikanëve”, 52 zyrtarë kosovarë kanë rreth 1 miliard euro pasuri
Instituti për Hulumtime “Front” ka lansuar platformën “Pasuria e Politikanëve”, me anë të së cilës qytetarët do të kenë mundësi dhe qasje që t’i shohin lëvizjet e pasurisë së zyrtarëve shtetëror duke përfshirë edhe dokumentet e rëndësishme siç janë ato të tatimit në pronë.
Pranvera Behluli-Restelica, anëtare e Bordit në Institutin për Hulumtime “Front”, tha se kanë bërë hulumtimin dhe verifikimin e pasurisë së 52 zyrtareve të lartë shtetëror duke përfshirë presidentët kryeministrat, zëvendëskryeministrat, kryeparlamentarët dhe kryetarët e shtatë komunave më të mëdha, përgjatë një viti.
Tutje, ajo tha se këtë hulumtim do ta vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm duke u zgjeruar edhe në fusha tjera duke përfshirë edhe prokurimin dhe fushën e arsimit.
“Instituti për Hulumtime ‘Front’ ka bërë krahasimin, hulumtimin dhe verifikimin e pasurisë së 52 zyrtareve të lartë shtetëror duke përfshirë të gjithë presidentët, kryeministrat, zëvendëskryeministrat, kryeparlamentarët dhe kryetarët e 7 komunave më të mëdha kryesore të Kosovës. Gjatë kësaj pune 1 vjeçare, ne kemi arritur që të vëmë në pah lëvizjet e pasurisë së këtyre zyrtarëve të lartë shtetëror të cilat nuk janë të deklaruara në deklarimin e pasurisë”.
“Qytetarët nëpërmjet platformës që do ta lansojmë ‘Pasuria e Politikanëve’ do të kenë mundësi dhe qasje që t’i shohin lëvizjet e pasurisë së këtyre zyrtarëve shtetëror duke përfshirë edhe dokumente të rëndësishme siç janë ato të tatimit në pronë. Duke pasur parasysh se janë 5 mijë deklarues të pasurisë zyrtarë shtetëror ne kemi menduar që këtë hulumtim ta vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm, por duke u zgjeruar edhe në fusha tjera duke përfshirë edhe prokurimin dhe fushën e arsimit”, tha Behluli-Restelica.
Ndërsa, Lavdim Hamidi, menaxher i projekteve në Institutin për Hulumtime “Front”, theksoi se pasuria e 52 zyrtarëve shtetëror kap vlerën e përgjithshme rreth 1 miliard euro, pra sa 1/3 e buxhetit të Kosovës.
Hamidi tha se nga këta 52 zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë më të pasurit janë ish presidenti, Behgjet Pacolli që ka pasuri 7 milionë euro dhe ish-zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi me më shumë se 120 milionë euro pasuri të deklaruar.
“Pasuria e 52 zyrtarëve shtetëror të cilën ne e kemi krahasuar dhe kemi bërë verifikimin e saj kap vlerën e përgjithshme rreth 1 miliardë euro. Pra është sa 1/3 e buxhetit të Kosovës. Këto përfshihet pasuria e të gjithë presidentëve nga viti 2010 e deri në vitin 2022, pasuria e kryeministrave, zëvendëskryeministrave, kryetarëve të kuvendit dhe kryetarëve të 7 komunave kryesore të Kosovës. Gjatë dekadës së fundit shumica e zyrtarëve publik vërehet rritje e pasurisë 20 deri në 30% dhe në shumtën e rasteve në shpërpushje të plotë me të hyrat që i kanë deklaruar në agjencinë kundër korrupsionit”.
“Nga dokumentet qe kemi siguruar ne dhe të cilat tashmë gjinden edhe në platformën online kemi zbuluar pasuri të ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili nuk e ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Anti-korrupsion ndërsa figuron në tatimin e faturave në pronë që gjendet në komunën e Brezovicës përkatësisht në zonën dimërore të skijimit. Me këtë rast besoj do të merret edhe agjencia Anti-korrupsion. Ish-kryeministri Isa Mustafa në faturat e tatimit në pronë ka një pasuri 3 milionë euro shumëfish më e lartë se ajo që ka deklaruar. Ne kemi publikuar një hulumtim për pasurinë e zotëri Mustafa dhe ai është ankuar se pasuria e tij tokën e ka dhënë për ndërtim ndërsa nuk e ka bërë të ditur se sa është vlera e banesave që ka marrë në kompensim për pronën e dhënë”.
“Nga këta 52 zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë më të pasurit janë ish presidenti, Behgjet Pacolli që ka pasuri 7 milionë euro dhe ish-zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi me më shumë se 120 milionë euro pasuri të deklaruar. Ne synojmë që këtë projekt ta zgjerojmë edhe në fushën e prokurimit e cila në raportet vendore, por edhe ndërkombëtare vlerësohet si fusha më e korruptuar për shkak të dallavereve që i bëjnë zyrtarë të prokurimit me tender publik dhe në fusha të tjera të shëndetësisë, arsimit”, tha Hamidi.