Lansohet shërbimi i ri digjital për qytetarët e Kosovës – Platforma online për nxjerrjen e certifikatës së gjendjes penale
Prishtinë, 23.12.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian “Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale”, kanë lanusar sot platformën online të Sistemit Qendror të Evidencës Penale, për nxjerrjen e certifikatës së gjendjes penale.
Përmes këtij shërbimi të ri, qytetarët do të mund të pajisen online me certifikatat e së kaluarës penale në platformën shtetërore eKosova, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në gjykata dhe të presin radhë.
Certifikata e gjendjes penale përpos online, do të mund të sigurohet edhe në të gjitha gjykatat themelore dhe degët e tyre në nivel vendi, pavarësisht vend banimit apo vend qëndrimit të tyre.
Kryesuesi i KGJK-së, z. Albert Zogaj, theksoi se ky shërbim është tejet i rëndësishëm për sistemin gjyqësor dhe qytetarët e Kosovës, me ç’rast shprehu falënderimin për angazhimin në këtë proces të rëndësishëm të reformimit të sistemit të drejtësisë.
“Jemi shumë mirënjohës për kontributin dhe punën ekipore të projektit SQEP, gjykatave dhe institucioneve të përfshira në Komitetin Drejtues, përfshirë Zyrën e BE-së, Këshillin Prokurorial i Kosovës, Agjencinë për Regjistrim Civil, Policinë e Kosovës, partnerë tjerë të Këshillit Gjyqësor dhe të gjithë që kanë punuar në realizimin e suksesshëm të këtij projekti madhor dhe sfidues për gjyqësorin e Kosovës”, tha z.Zogaj.
Gjatë fjalës së tij, Kryesuesi Zogaj tha se ky sistem i ka mundësuar Kosovës që të jetë unike me vendet e BE-së, duke siguruar një certifikatë standarde në të gjitha vendet e botës, me të gjitha çelësat e sigurisë kibernetike. Me këtë rast, Zogaj falënderoi në veçanti Bashkimin Evropian për financimin e këtij projekti, i cili është storie suksesi e bashkëpunimit serioz në mes të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
“Ju njoftoj se përmes këtij shërbimi, sipas statistikave të fundit që i kemi marr, tashmë rreth 700 qytetarë kanë vizutuar më pak gjykatat”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.
Ushtruesi i detyrës së Udhëheqësit të Zyrës së BE-së, z. Johannes Madsen çmoi angazhimin e stafit të gjyqësorit në këtë projekt si dhe shprehu mbështetjen e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit, me qëllim që ky sistem të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm. Z.Madsen shtoi se ndjehet shumë i kënaqur sepse nga sot ky sistem i shumë pritur është i qasshëm nga qytetarët, të cilë me vetëm disa klikime mund të sigurojnë certifikatën e tyre.
Po ashtu, Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi, tha se funksionalizimi i kësaj platforme ka edhe një segment pozitiv të bashkëpunimit ndërunstitucional dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve të drejtësisë. Z.Kelmendi njoftoi se të gjitha evidencat penale nga viti 1999 deri më tani kanë kaluar nga regjistrat fizik në atë digjital.
Nga ana tjetër, Zëvendës Udhëheqësi i projektit SQEP, z. Bardhyl Hasanpapaj, u shpreh falënderues ndaj angazhimit dhe punës ekipore të të gjitha institucioneve në këtë projekt si dhe ndaj mirëkuptimit të Zyrës së BE-së në tejkalimin e sfidave të projektit.
Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar dhe i gatshëm të ofroj çdo lloj mbështetje për zbatimin e suksesshëm të këtij projekti, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve të gjykatave për qytetarët e Kosovës.