Një nxënëse e Gjimnazit në Gjilan përloti profesorët
Lamtumirë Verda…!
Largimet nga Kosova nuk kanë fund!
Ndersa ne edhe 20 Vite mbas luftes mbajm shpresen , per te investuar ne kosovë dhe as 1 her te perkrahur nga qeveritart e ton.
Verda Buzuku, nxënëse e klasës 10 në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, lë shkollën, pa dëshirën e saj. Ajo së bashku me dy motra më të reja shkollare në fillore në Gjilan dhe nënën i bashkohen babait të tyre në Gjermani, i cili ka shkuar atje para pak vitesh në kërkim të normalitetit dhe jetës më të mirë për fëmijët.
Ishte i rëndë lajmi që dha Verda se duhej të merrte dokumentet e shkollës pasi i kishin rregulluar letrat dhe do të udhëtonin për në Gjermani.
Verda tha, duke duke nxjerr me rëndesë fjalët, se duhej të largohej nga shkolla dhe Kosova.
E rëndë, por…, u shpreh ajo. Eh, sa shumë mbresë ka lënë kjo vajzë në Gjimnaz vetëm për një muaj mësim! Ishte edhe kryetare e klasës.
Erdhi në shtator, e sollën prindërit. Shpejt u ambientua në bashkësinë e klasës dhe dëshmoi një zgjuarësi të jashtëzakonshme në mësim e sjellje shembullore. Asnjë ditë nuk mungoi, asnjë orë nuk u vonua në mësim.
Kujdestari i klasës, Mejdi Musliu, me lot e kishte pritur lajmin se Verda do të shkonte në Gjermani. “Ishte nxënësja më mirë që kam pasur prej vitesh, e zgjuar në mësim dhe e edukuar përtej moshës së saj. Do t’i mungojë klasës dhe shkollës. Ishte model i një nxënëseje të mrekullueshme”, u shpreh Musliu.
Fjalë të zgjedhura për Verden shprehën edhe profesorët: Shkumbin Qamili (Gjuhë angleze), Enver Këçiku (Matematikë), Muhib Sahiti (Edukatë fizike)…
E babai i Verdës nga Gjermani falenderoi profesorët dhe menaxhmentin e shkollës për këtë përkushtim të jashtëzakonshëm që treguan ndaj vajzës.
“Nuk do ta largoja nga shkolla, por shteti në Kosovë nuk po merret as më fëmijët, as me rini as me qytetarët. Nuk mund t’i lë fëmijët e mi pa të ardhme, në një vend ku nuk ka as normalitet, as drejtësi, as barazi, asgjë…”, u shpreh i mërzitur prindi nga Gjermania.
Verda po largohet, por vargu i largimeve nuk merr fund. Edhe dy nxënës të tjerë të të njëjtës klasë presin letrat për të shkuar në Gjermani!
I kujt është shteti?! Shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, sepse ekzistenca e shtetit varet nga njerëzit, e njerëzit e këtij shteti po ikin përditë!
Shtet i kujt mbetet ky shtet nëse ikin qytetarët?!
Lamtumirë Verda! Të presim të kthehesh në vizitë! Të duam shumë Verda! Vizitën e parë ta bësh në Gjimnaz, aty ku ka mbetur hija yte, shembulli yt, emri yt! Emri yt nuk fshihet kurrë, do të mbetet në ditarin e klasës…
Lamtumirë Verda! Suksese në udhën e re, në vendin e ri!
/N.Buzuku/