Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që dialogu me Serbinë të udhëhiqet nga institucionet që sipas kësaj partie kanë kredibilitet dhe jo nga ‘dikush që nuk ka asnjë deputet pas vete’, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt.
Kryesia e LDK-së së bashku me degët e saja dhe grupin parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës ka mbajtur sonte mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar lidhur me zhvillimet aktuale në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, qeverisjen aktuale dhe transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.
Në një konferencë për media kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova do të përfitojë shumë më tepër nga dialogu nëse arrihet një pajtueshmëri më e gjerë dhe që ky proces të udhëhiqet nga institucionet kredibile.
Sipas tij, dialogu nuk është çështje emergjente që duhet përfunduar me çdo kusht brenda disa muajve, por që institucionet e vendit, partitë politike dhe shoqëria civile të bisedojnë për qëllimin përfundimtar në dialogun me Serbinë dhe të ketë institucione legjitime të dala nga zgjedhje të lira.
Mustafa: LDK nuk i ikën përgjegjësisë për dialogun
“Dialogun nuk mund ta zhvillojë as vetëm pozita, aq më pak opozita, as vetëm një subjekt politik, por lypset një sinergji e të gjitha partive, pasi është në pyetje interesi i vendit dhe ne si LDK- nuk i ikim përgjegjësisë për dialogun dhe e kemi përgjegjësinë si opozitë të japim kontributin tonë në këtë proces të dialogut, por konsiderojmë se në dialog do të kalojmë shumë më mirë dhe Kosova do të përfitojë shumë më tepër dhe do të ketë një pajtim më të madh qytetar nëse arrijmë një pajtim më të gjerë para se të hyjmë në procesin e dialogut dhe nëse arrijmë që dialogu të udhëhiqet nga institucionet që kanë kredibilitet dhe jo të shkojë atje të dialogojë dikush që nuk ka asnjë deputet pas vete”, ka thënë Mustafa.
Për më tepër, sipas Mustafës problemet e dialogut i kanë vënë hije problemeve të qytetarëve, si problemi i papunësisë, investimet e huaja, korrupsioni dhe menaxhimi i kompanive publike.
Ai ndërkaq ka folur edhe rreth transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të rregullt të Kosovës për të cilën tha se duhet të bëhet në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n.
Mustafa: LDK mbështet transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës
“Ushtria jonë nënkupton të jetë ushtri e NATO-s dhe pjesë e saj. Po ashtu ne shpresojmë se qeveria e cila ka propozuar ligjin, përkatësisht i ka propozuar tri ligje në Kuvendin e Kosovës, t’i ketë kryer këto konsulta me faktorin ndërkombëtar përkatësisht me partnerët tanë strategjikë, pasi do të ishte dëm që të shkojmë në këtë proces pa një pajtueshmëri të plotë me ata me të cilët do të funksionojmë edhe në të ardhmen e kjo është NATO. Sot shpreh gatishmërinë e LDK-së që kur të vijë në votim ligji për ushtrinë e Kosovës, LDK do ta përkrahë, pasi Kosova duhet ta ketë domosdo ushtri, e cila duhet të jenë në koalicion me NATO-n”, ka thënë Mustafa.
Ai ka përsëritur qëndrimin e LDK-së kundër korrigjimit të kufijve, duke thënë se mund të korrigjohen kufijtë e pranuar nga Kosova dhe Serbia.
Mustafa: Ne në këtë rast nuk kemi kufi, të cilët i ka pranuar edhe Kosova dhe Serbia
“Ne në këtë rast nuk kemi kufi, të cilët i ka pranuar edhe Kosova dhe Serbia. Ne mund të hyjmë në procesin e shënimit të vijës kufitare. Kur të bëhet ajo, mund të flitet për ndonjë korrigjim të asaj vije e cila është e pranuar nga të dy palët. Të na pranojë Serbia sot si shtet në këta kufij që jemi dhe kemi shpallur pavarësinë dhe pastaj më vonë mund të flasim për korrigjime, por në këtë rast nuk jemi për atë që në këto momente të flasim për korrigjime, pasi mund të hapim korrigjimin e deklaratës së shpalljes së pavarësisë, pasi po vëmë në tavolinë çështje që kemi përfunduar”, ka thënë Mustafa.
Duke folur rreth sondazheve që renditin LDK-në si parti të parë politike në vend, kryetari Mustafa tha se kjo nuk do të thotë se me çdo kusht për të shkuar në zgjedhje vetëm për këtë arsye dhe se LDK do të bashkëpunojë me partitë tjera opozitare që sa më shpejt të shkohet në zgjedhje të reja, pasi qeveria aktuale nuk ka numra të mjaftueshëm në Kuvend.
Mustafa: Dialogun nuk mund ta zhvillojë vetëm pozita, aq më pak opozita
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje, në të cilën, përgjatë dy orëve, ka diskutuar për një varg çështjesh.
Mbledhjen, e mbajtur në Prishtinë, në pasditen e së hënës, e ka udhëhequr kryetari i saj, Isa Mustafa.
Pas mbledhjes, partia kryesore opozitare në vend ka mbajtur një konferencë për media, ku ka dhënë qëndrimin e saj për disa tema aktuale në vend.
I pari i LDK-së, Mustafa, ka folur edhe për disa çështje të brendshme partiake.
Ka komentuar për përplasjen e ditëve të fundit mes nënkryetarit të partisë, Lutfi Haziri, dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.
“Jashtë organeve politike ka relacione të llojllojshme, ku hyn edhe ky relacion. Por, s’kanë asnjë domethënie, apo peshë për LDK’në”, është shprehur Mustafa, teksa Haziri qëndronte pranë tij.
“Ju lëmë njerëzve hapësirë të diskutojnë, dhe ato nuk sanksionohen”, ka deklaruar Mustafa.
***
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë që ka mbajtur kjo parti ka folur para mediave duke treguar se çfarë është biseduar.
“T’i orientojmë politikat tona në disa fusha të rëndësishme që për momentin janë: problemi i qeverisjes së vendit dhe cilësia e kësaj qeverisje, problemi i dialogut me Serbinë, përmbajtja, format dhe koha kur ne konsiderojmë se do të duhet të ishte për dialogun”
“Janë çështje të tjera që kemi diskutuar në Kryesi, edhe shndërrimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës dhe qëndrimet e LDK-së, por edhe për kujdesin e LDK-së për përmirësimin e jetës së çdo qytetari dhe qeverisjen shumë më të mirë të këtij vendi”
“Ne kemi dhënë qëndrimet tona disa herë, të cilat janë qëndrime të organeve të LDK-së”.
Mustafa ka folur për fazën finale të dialogut me Serbinë, duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e përkrah dialogun, me disa kushte.
“Sa i përket procesit të dialogut, kemi ripërsëritur se LDK konsideron se të gjitha problemet dhe çështjet e hapura me Serbinë por edhe çështjet që mund të jenë eventualisht hapur me vendet fqinje duhet të zgjidhen përmes dialogut”.
“Kemi përkrahur dhe e përkrahim edhe më tutje por konsiderojmë se çështjet për të cilat po insistohet që të dialogohet kohëve të fundit janë çështje që kërkojnë kohë, institucione me legjitimitet politik dhe kushtetues dhe kërkojnë pajtueshmëri të të gjitha subjekteve politike, shoqërisë civile, institucioneve shkencore, të biznesit, Bahskësive Fetare sepse ky vend u takon të gjithëve”.
Sipas të parit të LDK-së, dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet me pajtueshmërinë e të gjitha subjekteve politike.
“Ne kemi vlerësuar se çështja e dialogut nuk është emergjente që duhet që të kryhet me çdo kusht për disa muaj por është çështje që kërkon që institucionet, partitë politike, shoqëria civile të ulen të përcaktojnë qëllimin e tyre dhe pastaj të kemi institucione legjitime që do të dalin nga zgjedhjet e lira që marrin përgjegjësinë për dialogun”.
“Dialogun nuk mund ta zhvillojë as vetëm pozita, e aq më pak opozita – lypset një sinergji e të gjitha subjekteve politike sepse është në pyetje vendi dhe interesi i vendit”.
“Edhe ne si LDK kemi përgjegjësinë tonë për këtë, nuk i ikim përgjegjësisë tonë. Edhe si opozitë do të japim kontributin tonë”.