Menjëherë pas takimit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për media kanë folur Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, ku kanë konfirmuar se koalicioni në mes dy partive do të ndodhë, shkruan Gazeta Metro.
Kurti përpara mediave tha se janë dakorduar që të kenë qeverisje të përbashkët me LDK’në.
“Jemi pajtuar me LDK’në që do të qeverisim bashkë. Ne e kemi uruar njëri tjetrin për gjithçka dhe do të qeverisim bashkë”, ka thënë Kurti.
Sa i përket pozitave dhe ministrive, edhe Kurti edhe Osmani thanë që do të presin çertifikimin e rezultateve për të shikuar se kush do të jetë pjesë e qeverisë.
“Do të presim çertifikimin e rezultateve nga KQZ edhe pse rezultati tashmë dihet dhe nuk pritet ndonjë ndryshim”, ka thënë Kurti.
Në fund kreu i LVV’së, Albin Kurti, ka thënë se do të bashkëpunojë me serbët që e pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe jo me ata që dirigjohen nga Serbia.
Ndërkaq Vjosa Osmani ka thënë se ka gatishmëri nga të dy partitë për të arritur një koalicion, dhe se për marrëveshjen finale do të presin përfundimin e procesi të numërimit.
“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”, ka thënë Osmani.
Tutje ajo ka treguar se qysh nesër ekipet e LVV’së dhe LDK’së do të takohen dhe të formulojnë projektin e qeverisë./gazetametro.net