Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit Alban Hyseni, i cili e ka cilësuar vitin 2025 si “vit të kthimit të dinjitetit të qytetarëve”.
Sipas LDK-së, kjo është një pranim i hapur se për tri vite radhazi dinjiteti i qytetarëve është nëpërkëmbur, duke e cilësuar mandatin aktual si një vazhdim i mashtrimit të madh.
Dega e LDK-së paralajmëron se ndryshimi do të vijë në tetor, me rikthimin e dinjitetit në Gjilan.
Komunikata e plotë:
Vit i vazhdimit të mashtrimit të madh nga ekzekutivi i Gjilanit
I pari i ekzekutivit në Gjilan, z. Hyseni, paska vlerësuar 2025-tën si “vit të kthimit të dinjitetit të qytetarëve”. Tash edhe publikisht e paska pranuar që për tri vite e ka nëpërkëmbur dinjitetin e çdo qytetari në Gjilan dhe duket se hiç marre nuk i vjen.
Ka filluar me 18 janar të këtij viti të ‘punojë’ duke tentuar ta nëpërkëmbë dinjitetin e LDK-së me bllokimin e sallës së sporteve dhe me mashtrimin se akademinë përkujtimore për presidentin Rugova e bën dikush tjetër.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës- Dega në Gjilan, është mandat i humbur dhe vit i vazhdimit të mashtrimit të madh. Por, edhe kjo përfundon në tetor të po këtij viti, për rikthimin e dinjitetit të Gjilanit.