Nga LDK thonë se e pranojnë qeverinë gjithëpërfshirëse, ndonëse preferojmë zgjedhjet e reja.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë qeveria gjithëpërfshirëse do t’i jepte legjitimitet dhe forcë politike Kosovës në dialog, por LDK më tepër preferon zgjedhjet e reja.
Abdixhiku, në RTV Dukagjini, ka thënë se ideja për qeveri gjithëpërfshirëse ka ardhur pas konsultimeve të shumta.
“Gjithëpërfshirja na është interpretuar si futje e LDK-së në koalicion me PDK-në. Kështu kanë qenë titujt e gazetave. ‘LDK tradhton sërish’. Fjala gjithë përfshirje është shqipe – do të thotë i përfshinë të gjithë”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se edhe Isa Mustafa nuk e ka interpretuar ndryshe qeverinë gjithëpërfshirëse, pos përfaqësimit të të gjitha partive politike.
“Edhe kryetari Mustafa në të gjitha daljet publike, gjithë përfshirjen nuk e ka interpretuar ndryshe përveç se përfaqësim i të gjitha partive politike”, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se pavarësisht se LDK e pranon si opsion qeverinë gjithëpërfshirëse, më e preferuar mbetet shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare.
“Qeveria gjithëpërfshirëse nuk është më e preferuar për neve. Më e preferueshme për ne është shkuarja në zgjedhje…Rënia e Qeverisë është e pashmangshme në Kosovë, për shkak të strukturës së saj”, tha ndër të tjera Lumir Abdixhiku./gazetametro.net