LDK në Gjilan ka reaguar pas fyerjeve të bëra ndaj kandidatit për anëtar të Kuvendit Komunal, Demush Vokshi.
Nga kjo parti theksohet se Vokshi është shembull i përkushtimit dhe vizionit për komunitetin, ndërsa gjuhën fyese ndaj tij e cilësojnë si të papranueshme.
Komunikata e plotë:
Ne ecim bashkë me vizion me liderin e Lagjes së Vishnjeve, Demush Vokshi
Kandidati ynë për anëtar të Kuvendit në Gjilan, z. Demush Vokshi është fyer në rrjetet sociale nga persona të papërgjegjshëm, të cilët mendojnë se në këtë botë ecet vetëm me këmbë.
Ju rikujtojmë të tillëve se ne në LDK jemi për bashkim idesh e vizionesh, që ecim bashkë me dashni e zemër për këtë qytet, për këtë komunë e për këtë vend, ku fatkeqësisht ndeshemi edhe me mentalitete të tilla absurde ndaj personave me mangësi fizike.
Demush Vokshi ka bërë shumë, së pari për familjen e tij, pastaj edhe për lagjen dhe banorët e saj, duke e kthyer atë në një mjedis të qetë e të denjë për jetesë.
Puna, dinjiteti e integriteti janë parime të përditshme të jetës së tij.
Kontributi i tij për komunitetin është i pamohueshëm dhe i njohur nga të gjithë banorët e lagjes së Vishnjeve.
Demi dhe banorët e asaj lagjeje ishin të margjinalizuar sepse jetonin ne vada e lloç. Madje, kishin shkuar aq larg sa që kësaj legjeje i referoheshin edhe në kuptim pezhorativ.
Me angazhimin e tij të pashoq, ajo lagje sot njihet si Lagjja e Vishnjeve, e cila u bë me infrastrukturë rrugore, kanalizime, ujësjellës e ndriçim, duke u integruar në zonen urbane brenda më pak se dhjetë vitesh. Këto katër vitet e fundit e harruan dhe e margjinalizuan, por fyerjen nuk ia kemi për borxh. Ua kujtojmë atyre se Zoti i falë njerëzit të barabartë dhe se mungesa e një aftësie të zhvillon me aftësi të tjera.
Duke ia njohur vlerat e tij, LDK në Gjilan e ka lutur z. Vokshi të jetë në listën tonë për anëtar të Kuvendit dhe ne i jemi mirënjohës që e ka pranuar.
Z. Vokshi ecën në këtë botë me vizion, me guxim e vullnet, me përkushtim e dashni për veten, për familjen dhe qytetin ku jeton.
Prandaj, jemi të shqetësuar për gjuhën fyese që është përdorur në drejtim të tij, për shkak të gjendjes shëndetësore, të cilën nuk e ka zgjedhur ai, por fati ia ka përcaktuar.
Ta përqeshësh fatin e tjetrit, më e pakta që mund të thuhet, është gjest i ulët dhe i papranueshëm.
Ne në LDK jemi krenarë që në radhët tona kemi një personalitet si Demush Vokshi, i cili rrugëve të këtij qyteti ecën me karrocë, por shtigjet e së ardhmes i ecën me vizion e dashni për të gjithë ne, edhe për ju që sot e fyeni e nënçmoni.
Demush Vokshi ka fitu sepse lagjja është përmirësu e ndërtu.
Ne ecim bashkë me vizion me liderin e Lagjes së Vishnjeve, Demush Vokshi.