Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka reaguar ndaj, siç e quajti, tentimit për manipulim të opinionit publik nga kryetari në ikje, Alban Hyseni, lidhur me projektin e stadiumit të qytetit.
Në reagim thuhet se LDK nuk ka bllokuar projektin, por se procedura për renovimin e stadiumit është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), për shkak të shkeljeve ligjore të bëra nga vetë Komuna e Gjilanit.
LDK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për zhvillim të ndershëm dhe transparent të qytetit, ndërsa stadiumi – sipas tyre – do të realizohet vetëm me qeverisje profesionale e përgjegjëse pas 12 tetorit.
Komunikata e plotë:
Reagim ndaj tentimit për manipulim të kryetarit në ikje, Alban Hyseni, për stadiumin e qytetit
Sonte, kryetari në ikje i Gjilanit, Alban Hyseni, sërish tentoi ta mashtrojë opinionin publik duke pretenduar se gjoja LDK e ka bllokuar projektin e stadiumit të qytetit. Ky është një manipulim i pastër dhe i qëllimshëm për të fshehur paaftësinë dhe dështimet e tij. E vërteta është krejt ndryshe sepse procedura për “Renovimin e Stadiumit të Qytetit të Gjilanit” është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), sepse vetë Komuna e Gjilanit ka bërë shkelje ligjore dhe procedurale gjatë zhvillimit të tenderit.
Pra, nuk është LDK ajo që e ka bllokuar stadiumin, por është paaftësia e administratës së Alban Hysenit që ka sjellë këtë situatë. Në vend që të pranojë përgjegjësinë për gabimet e veta, ai po tenton ta mashtrojë publikun me deklarata manipuluese dhe me fjalë që nuk i mbulon asnjë fakt.
LDK dhe ekipi ynë janë për zhvillimin e qytetit, për investime të ndershme dhe transparente në sportin gjilanas, dhe asnjëherë për propagandë politike. Stadiumi do të bëhet, por vetëm atëherë kur në Gjilan të ketë qeverisje të përgjegjshme, profesionale dhe që punon për qytetarët pas 12 tetorit.
Bashkangjitur gjeni vendimin e OSHP-së 2024/0521, vendim i cili e demanton rëndë tentimet për manipulimin e sontëm të kryetarit në ikje.