Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka reaguar me shqetësim lidhur me dyshimet për keqpërdorim të parasë publike nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Liza Gashi, përmes organizatës “Germin”.
Në një komunikatë për media, LDK-ja thekson se ky rast është tregues i skandaleve që po minojnë besimin e qytetarëve në institucione, ndërsa shpreh vendosmërinë për të mbrojtur interesin publik dhe për të sjellë ndryshim në qeverisje në këtë rajon.
Komunikata e plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Gjilan shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë, lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin e parasë publike, ku është përfshirë deputetja e Vetëvendosjes, znj. Liza Gashi, përmes organizatës joqeveritare “Germin”, të themeluar dhe drejtuar prej saj, e cila dyshohet se ka përfituar fonde publike në mënyrë të jashtligjshme, pa organizuar thirrje publike dhe në kundërshtim me ligjin.
Në vend që të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të shumta të rajonit të Anamoravës, zonja Gashi po përmendet në skandale që dëmtojnë direkt interesin publik dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
Përballë kësaj gjendjeje të papranueshme, LDK-ja në Gjilan dhe kandidati ynë për kryetar të Komunës, z. Arbër Ismajli, janë të vendosur t’i dalin zot Anamoravës. Këtyre marrëzive, skemave të dyshimta dhe keqpërdorimeve të fondeve publike do t’u vijë fundi.
Anamorava meriton drejtësi, zhvillim dhe përfaqësim të denjë, jo skandale, abuzime dhe shpërdorim të pasurisë së qytetarëve.
LDK në Gjilan qëndron fuqishëm në krah të ligjit, transparencës dhe qeverisjes së përgjegjshme.