Këmbëngulësia e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe ka shtyrë partnerin më të madh të koalicionit, PDK-në, që të paralajmërojë rrëzimin e Qeverisë. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe lider i PDK-së, tha para pak ditësh se të gjitha qeveritë mund të ecin, por asnjë qeveri nuk mund t’i rrezikojë raportet me SHBA-në. Pavarësisht kësaj, shefi i ekzekutivit përsëriti edhe gjatë ditës së djeshme se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se synimi i Veselit është ta largojë Haradinajn nga pozita e kryeministrit pa shkuar fare në zgjedhje, kjo vetë kreu i PDK-së ua ka “drojën” zgjedhjeve në këtë kohë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Teksa ka komentuar akuzat mes krerëve institucionalë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se një praktikë e tillë po ndodh me qëllim për t’i mbuluar dështimet e tyre.
“Për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jokushtetuese presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit. Në një fushatë të ashpër ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”, është shprehur ai.
Ndaj sipas tij, për të ardhur deri te një zgjidhje vendi duhet sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Për të dalë nga kjo situatë, sa më parë duhet t’u japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës në kufijtë e 17 shkurtit 2008 të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira”, ka theksuar Hoti.
Ndërkohë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se LVV-ja në vazhdimësi është angazhuar për zgjedhje të parakohshme, pasi Kosova po përballet me probleme të shumta.
Sipas saj, tashmë është bërë rutinë që qeveria aktuale të bëjë skandale dhe veprime të kundërligjshme. Rrjedhimisht, liderët aktualë gjatë tërë kohës bëjnë akuza e kundërakuza mes vete, nuk mund të durohen më.
“Neve na duhet një angazhim opozitar e qytetar, në mënyrë që kjo Qeveri sa më parë të largohet. Është e vërtetë se ne si LVV konsiderojmë që taksa është një vendim i drejtë, por ne jemi që taksa të mbetet dhe qeveria ‘Haradinaj’ e njerëzit si Veseli të shkojnë”, ka theksuar ajo.
Së këndejmi, Haxhiu ka thënë se LVV-ja nuk do të pushojë së punuari për rrëzim të Qeverisë.
“Ne konsiderojmë që qeveria ‘Haradinaj’ nuk mund të mbetet vetëm për shkak të taksës. Ka veprime të panumërta, të dëmshme, të këqija, për të cilat duhet të rrëzohet. Prandaj angazhimi i LVV-së natyrisht që nuk do të pushojë”, ka theksuar ajo për “Zërin”.