Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbrëmë ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje kur të dojë opozita.
Madje, ai tha se nëse opozita është për rrëzimin e Qeverisë, ai do të ndihmojë këtë proces me votat e Vetëvendosjes.
Deklaratës së Kurtit i janë përgjigjur nga opozita.
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami në një prononcim për Front Online ka thënë se LDK-ja nuk bën mocion për rrëzim të Qeverisë.
Kjo për shkak se, siç thotë ajo, nuk dëshirojnë t’ia plotësojnë dëshirën Kurtit për viktimizim.
“Siç ka deklaruar kryetari i LDK-së Abdixhiku mbrëmë ‘Nëse Kurti është dorëzuar, e duket se është dorëzuar, le të japë dorëheqje dhe le t’ua shpjegojë qytetarëve dorëzimin e tij’. Tash jemi vetëm disa muaj para afateve për zgjedhje të rregullta dhe LDK-ja nuk bën mocion, por jemi të gatshëm edhe për zgjedhje, edhe për qeverisje pas procesit zgjedhor. Dëshirën për viktimizim LDK-ja nuk ia plotëson Kurtit e as nuk e mundëson, por dorëheqja pas dorëzimit është rrjedhojë e natyrshme. LDK-ja është gati për të gjitha”, ka thënë deputetja Bajrami për Front Online.
Pas deklaratës së Kurtit mbrëmë ka reaguar edhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i cili ka thënë se nënshkrimet e deputetëve të PDK-së për shpërndarje të Kuvendit janë gati që nga sot.