Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese ka gjetur dje se Nagavci e ka shkelur Kushtetutën duke ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës për reformën në arsim.
Ish kryetari i Vushtrrisë nga kjo parti, Xhafer Tahiri deklaroi se Kushtetuta duhet të mbrohet nga qytetarët, pasi sipas tij pushteti po e shkelë atë.
“Qytetarët duhet që ta mbrojnë Kushtetutën, veçanërisht kur Kushtetuta shkelet nga pushteti. Kosova ka ndërtuar një standard demokratik të respektimit të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese më të mirë në rajon. Ne si subjekt e kemi dhënë shembullin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në secilin rast”, deklaroi ai.
E për qeverinë, Tahiri tha se për një vit e ka shkelur dy herë Kushtetutën.
“Megjithatë, Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur që të shkelë disa herë Kushtetutën e Kosovës, të vërtetuar me aktgjykime të plotfuqishme të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i parë ishte për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil të Kosovës, e rasti më i freskët është aktgjykimi i Kushtetueses me të cilën u vërtetua se ministrja e Arsimit , Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë ai.