Unanimisht, me asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Lumir Abdixhiku mori besimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, për të qenë i pari në listë.
Kjo, ajo çka rëndom jepet si nominim për kandidat për kryeministër. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nuk pati të nominuar tjetër për ta bërë kandidaturën kontest brendapartiak.
Me të marrë këtë besim të partisë së vet, Abdixhiku mbajti fjalim të gjatë shtjellues se me çfarë synimesh në mendje ia mësynë kësaj gare të jashtëzakonshme zgjedhore.
Tre shtylla, tha Abdixhiku, janë në çka angazhohet LDK: Stabilitet institucional, kthim në rrugën euroatlantike dhe zhvillim ekonomik.
Një nga fjalët më ‘goditëse’ të tij në këtë tubim partiak ishte se “rrezikojmë të zgjohemi në mëngjes dhe kufiri i BE-së të na vjen te ne…veç me Kosovën të mbetur në vend që s’ec”.
Abdixhiku, mes tjerash, tha se edhe se “nuk ka barrë që më rëndon dhe sfidë që më trembë” në garën e 28 dhjetorit.
Referuar plandosjes së vendit në izolim nga Perëndimi, Abdixhiju rikujtoi se Kosova e ka të shkëputur Dialogun Strategjik nga ShBA-ja dhe është e ndëshkuar me sanksione nga Bashkimi Evropian.
“Shihni Shqipërinë, shihni Malin e Zi”, tha Abdixhiku teksa iu referua përparimit në rrugët euroatlantike të këtyre dy shteteve fqinjëve, “ndërsa Kosova ka mbetur”.









