Në një rinkonfigurim të qeverisë atëherë Lidhja Demokratike do të udhëhiqte me Qeverinë. Po ashtu, PDK duhet ta lëshojë postin e kryetarit të Kuvendit meqë kjo parti e ka presidencën. Ky është skenari sipas Lutfi Hazirit i mundshëm për një qeveri gjithëpërfshirëse me anë të se cilës mund të vazhdohet dialogu me Serbinë.
Sipas tij, pa u rrëzuar qeveria, përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse, dy postet, ai i kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit duhet tu takoj dy partive opozitare.
“Kryetari i Kuvendit nuk i takon PDK-së, duhet ta marrë partia tjetër, e merr Vetëvendosja, njëjtë qeveria nuk i takon PAN-it”, ka thënë ai.
“30 ditë pas përfundimit të dialogut duhet të shkojmë në zgjedhje”.
Haziri bëri të ditur se kishte ofertë nga Partia Demokratike, që të bëhen bashkë dhe ta rrëzojnë kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Nuk ka pasur të bëjë me LDK-në shumë, ka pasur të bëj me rrëzimin e kryeministrit Haradinaj”.
Haziri beson se kokëfortësia do ta rrëzojë Haradinajn
Sipas Lutfi Hazirit, nuk ka dyshim se nëse kryeministri Haradinaj vazhdon ta mbajë masën e taksës me kokëfortësi atëherë qeveria do të bie dhe kryeministri do ta përdor rezistencën ndaj Serbisë si arsyetim publik.
“Besoj që do të bie qeveria nëse vazhdon me këtë kokëfortësi por do ta ketë një arsyetim publik që do të thotë se u rrëzova se u tregova konsisent ndaj qëndrimeve të mija karshi Serbisë”, ka thënë Haziri.
“Sa i përket PAN-it, formalisht udhëheq kryetari i PDK-së, është emri formal. De facto këtë koalicion e zhagit kryeministri. Nëse deri sot e kemi këtë raport, po tregohet qartë që politikën e artit të kryer po e zbaton kryeministri”, ka thënë Haziri. Qeveria dhe zërat e ndryshëm brenda koalicionit qeverisës, sipas Hazirit, po rrezikojnë raportin e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë.
“Ne e dimë që kemi siguri prej NATO-s, edhe ushtria që po ndërtohet po ndërtohet me ndihmën e NATO-s dhe thirrja më racionale do të ishte që duhet mu ulë dhe të bëjmë një dialog të brendshëm”.
Haziri për grevën në arsim ia lë fajin Veselit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se fajtori për grevën në arsim ka qenë kryeparlamentari, Kadri Veseli.
Në Rubikon të KTV-së, Haziri ka thënë s e”ai që e shkakton problemin, edhe e zgjidh”.
“Ka pasur futje të duarve në xhepa të huaj”, ka thënë Lutfi Haziri duke folur për tollovinë që shkaktoi greva e mësimdhënësve për javë të tëra.
“Kjo më shumë po bëhet brenda partnerëve të koalicionit qeverisës. Nuk është opozita këtu, LDK nuk e ka as në kulturë të bëj diçka të tillë. Fatkeqësisht SBASHK-u është i ngjyrosur politikisht. I vetmi njeri që nuk ka qenë në këtë marrëveshje ka qenë ministri i Arsimit, i vetmi ka qenë që është munduar të bëjë zgjidhje. Kryeministri ka qenë afër me zgjidh. Prapë është nënshkruar në kushte të njëjta, kryetari i PDK-së ishte i pari aty dhe gjithmonë thuhet që kush e shkakton problemin, ai e zgjidh”, ka deklaruar Haziri.
Haziri kundër Abdixhikut për deklaratat ndaj BE-së
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në Rubikon të KTV-së ka thënë se deklaratat e tensionuara dhe me inate karshi partnerëve ndërkombëtarë nuk i ndihmojnë Kosovës. Ai përmendi edhe qëndrimin e bashkëpartiakut të tij, Lumir Abdixhiku, duke thënë se është qëndrim i tij.
“Nuk guxojmë në asnjë mënyrë të këcënojmë marrëdhëniet me partnerët. Raportet e tensionuara duhet t’i shtensonojmë me kompromise tonë në politikë”.
“Janë deklarata me inate, nga çdo deputet dhe çdo grup që vjen. Nuk lidhet me emrin e përveçëm ndërmjetësimi. Krejt e dinë që Kosova e ka shpall në mënyrë të koordinuar pavarësinë”, ka thënë Haziri.
Lumir Abdixhiku nëpërmjet një shkrimi në Facebook, kishte shkruar se zyrtarët e BE-së që thonë se për Trepçën duhet të flitet në Bruksel me Serbinë, nuk munden të jenë ndërmjetës në dialogun mes dy vendeve.
“Zyrtarët e BE-së, kur e bëmë ushtrinë thanë është provokim. Duhet marrë pëlqimin e Serbisë. Merreni me mend. Kur vendosëm për Trepçën, thanë është nguti. Vendoseni pasurinë në tavolinë me Serbinë. Të tillët s’mund të jenë ndërmjetësues në dialog. Të tillët, me mendje kështu, janë palë me Serbinë. Të njëanshëm e pa kredibilitet, të njëjtit nuk përfaqësojnë as qëndrimet individuale të shteteve në BE. Ndërmjetësimi i tyre është i komprometuar; si të tillë, këtë ndërmjetësim – deri në qartësim – Kosova duhet ta refuzojë menjëherë”, ka thënë Abdixhiku.