Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se taksa e vendosur prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja është bërë strehë plaçke për Qeverinë e Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se në 11 vjet shtet, Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të keqe si në çështjet e brendshme, ashtu në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku po vihet në pikëpyetje partneriteti me SHBA-në.
Hoti, në një konferencë për media, tha pozita e keqe karshi SHBA-së, ka ndikuar që për herë të parë kryeministrit të vendit i mohohet e drejta të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara. Sipas Hotit, dialogu është në rrugë pa krye.