Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili në një konferencë për media ka folur për deklaratën e djeshme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, ku kjo e fundit i kërkoi prokurorit të tërhiqej nga rasti ku ishte e akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend para shtatë vjetësh.
Për këtë, Kica-Xhelili tha se Haxhiu duhet të shkarkohet.
“Ministrja e Drejtësisë i kërkoi prokurorit të dorëzohej… Nuk tha kërkoj drejtësi, në vend të shumë mundësive që kishte për të përmbyllur qëndrimin e saj prej të akuzuarës, por ajo zgjodhi t’i thotë prokurorit dorëzohu.. Këtë e tha ministrja e Drejtësisë, pasqyra e së cilës mëton të jetë fytyra e ligjit në Kosovë. Një ministre e drejtësisë që i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vetë ose të shkarkohet, s’ka kredibilitet të udhëheqë në sektorin e drejtësisë”, është shprehur Kica-Xhelili.
Sipas saj, Haxhiu disa herë ka dëshmuar që s’ka aftësi ta zhvesh petkun personal e të të akuzuarës kur hyn në këtë ministri, “harron që është institucion, fyen e kërcënon dhe jo vetëm ajo, por edhe të tjerët”.
Kica-Xhelili tha se Ministria e Drejtësisë ka premtuar privatësi e gjyqësorit e mbështetje financiare për sistemin e drejtësisë e për ministra pa akuza, por sipas saj, realiteti po e dëshmon të kundërtën.
“Sot përveç që pagat e prokurorëve e gjyqtarëve janë ulur, punohet për dorëzim të drejtësisë. Nga sot e tutje dhe çdo ditë që vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbajë emrin e kryeministrit, Kosova ka nevojë për njerëz që nuk dorëzohen”, ka shtuar ajo.