Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe pastaj si rrjedhojë, shpërbërjen e Kuvendit.
Përmes një komunikate, LDK thotë se kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh.
“LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë. LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë ‘Rrugën e Re’ si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në njoftim.
LDK-ja konsideron se, në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, sipas këtij subjekti me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë Kryeministri.
“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”, thuhet tutje.
LDK-ja ka shtuar se nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave.
“LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, përundon njoiftimi.