LDK ka dorëzuar sot një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme për nesër në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur ditëve të fundit në kazino.
“Grupi Parlamentar i LDK-së, vlerëson se është e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të shpreh qëndrimin e vet lidhur me këto ngjarje dhe të kërkojë nga Qeveria që menjëherë të pezullojë aktivitetet e kazinove dhe lojërave të fatit, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëritën më”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Sipas LDK-së ngjarjet tragjike të javës së fundit, ku në ambiente të kazinove-lojërave të fatit mbetën të vdekur dy të rinj, duket qartë se nuk janë raste të izoluara.
“Ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen. Mbrojtja e qytetarëve, ofrimi i sigurisë dhe ambientit të qetë janë përgjegjësi të shtetit të Kosovës. Prandaj, është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen përmes seancës së jashtëzakonshme. Mos veprimi i institucioneve përkatëse shtetërore në këtë moment do ta vështirësoj adresimin e këtij problemi më vonë”, thuhet në komunikatë.