Sot u bënë 100 ditë nga fillimi i mandatit të qeverisjes së re komunale, respektivisht, 100 ditë prej kohës kur ky ekzekutiv do duhej ta fillonte punën. Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës- Dega Gjilan, para gazetarëve u paraqitën z.Avdyl Aliu, shef i Grupit të Keshilltarëve Komunal të LDK-së; Fitim Guda, anëtar i Kryesisë së Degës dhe Gresa Avdiu, anëtare e Kuvendit Komunal nga rradhët e LDK-së.
“Me rastin e përmbylljes së këtij 100 ditëshi, shihet se nuk ka ndodhur asgjë jashtë asaj që ne e kemi ditur dhe pritur që do të ndodhë”- tha Aliu.
“Në suaza të Fer-Play, Qeverisjes Hyseni i kemi dhënë 100 ditë, që kemi konsideruar se është një periudhë e mjaftueshme kohore për t’u përgaditur, për t’u fokusuar në operacionalizimin e programit qeverisës dhe për ta përkthyer nga ai deklarativ e politik që e kanë pasur në fushatë, në një program real ku duken numrat, agjendat, politikat financiare dhe periudhat kohore që duhet të realizohen.”- shtoi tutje Aliu.
Ai foli edhe për ngecjet e Kuvendit Komunal duke treguar se ka vonesa të mëdha në themelimin dhe konsolidimin e komiteteve që janë trupa profesional, që Kuvendit i ndihmojnë për pothuajse të gjitha cështjet që duhet trajtuar.
“Në përgjithësi, ne nuk duam të paragjykojmë asgjë, por nisur nga ajo se dita e mirë shihet në mëngjes, kemi frikë se kjo qeverisje nuk do të mund të mbajë hapin e trashëguar nga qeverisja e kaluar dhe se do të mbetet shumë larg nga pritshmëritë për nje komunë të zhvilluar.” – përfundoi Aliu.
Tutje vazhdoi z.Guda, duke thënë se LDK në Gjilan po vendos standard të ri të opozitarizmit, duke pritur të kalojnë 100 ditë për të dalur me vlerësimet e para për qeverisjen aktuale.
“Në emër të lirisë së shprehjes, më lejoni të shpif.”- nisi fjalën e tij, z.Guda. Fjalë kjo për gjitha akuzat e pabaza e të pavërteta qe hudhen drejt qeverisjes së kaluar të udhëhequr nga kryetari Haziri.
Guda theksoi ngecjet e drejtorive komunale në cështje të ndryshme, duke dhënë një sqarim edhe për borxhet e akumuluara të komunës ndër vite.
“Nga e thëna në të bërë, ka një det të tërë!”- perfundoi Guda, duke i cilësuar si të humbura për Komunën e Gjilanit këto 100 ditë.
E fundit në këtë adresim të Degës së LDK-së ishte znjsh.Gresa Avdiu. Ajo tha se ky pushtet po e ka të vështirë ta largojë petkun opozitar e të filloj të punojë për qytetarët e Komunës së Gjilanit. Me parregullësi, shkelje ligjore e vonesa e filluan këtë mandat- tha ndër të tjera Avdiu para gazetarëve.
Ajo theksoi se nuk ka filluar ende realizimi i të paktën njërit nga 109 premtimet që Kryetari i Komunës i ka bërë gjatë fushatës elektorale duke u shprehur skeptike se me këtë dinamikë të punës e vetëm me takime, do mund t’i realizojë ato ashtu sic ka deklaruar.
Sot e kemi zyrtarisht edhe diten e parë të pranverës, andaj urojmë shume që kjo qeverisje zgjohet pas këtij pushimi dimëror, e pas 100 ditëshit fillon punët e saj bashkë me stinën e bukur. – përfundoi Avdiu.
LDK në Gjilan thekson gjithashtu se do qëndrojmë opozitë konstruktive dhe do ofrojmë të gjitha kapacitetet tona si: Grupin e LDK-së në Kuvend dhe në Komitete Profesionale, Këshillin e Ekspertëve të LDK-së si edhe vullnetin dhe gatishmërinë në cdo moment të kryetarit Haziri.