Pamjet nga magjistralja Gjilan-Ferizaj, e cila u përurua vetëm disa muaj më parë, janë dëshmi e papërgjegjësisë dhe dështimit të qeverisjes aktuale. Miliona euro nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar për një rrugë që sot është e shkatërruar dhe e pakalueshme, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe duke dëshmuar mungesën totale të cilësisë dhe llogaridhënies në menaxhimin e projekteve publike.
Ky projekt është devijuar dhe deformuar. Financimi ka qenë nga BERZH si grant për qytetin e Gjilanit dhe banorët e tij. Revidimi i rrugës, që dëmton interesin e projektit dhe të banorëve, tashmë është i dukshëm dhe i prekshëm.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan kërkon përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe një hetim të menjëhershëm për këtë skandal të keqpërdorimit të parasë publike. Nuk mund të lejojmë që rrugët të ndërtohen për të zgjatur vetëm disa muaj, ndërsa qytetarët të mbeten me infrastrukturë të shkatërruar.
Mos t’i ikin përgjegjësisë ata që me pompozitet reklamuan përfundimin e këtij projekti!
Ftojmë organet e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë për të ndëshkuar ata që kanë lejuar këtë dështim dhe për të garantuar që investimet publike të jenë të qëndrueshme dhe në dobi të qytetarëve.