Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Gjilan ka reaguar pas lajmit për shuarjen e Klubit të Basketbollit Drita, një nga emrat më të njohur dhe të respektuar të sportit në qytet.
LDK e cilëson këtë shuarje si një goditje për sportin dhe trashëgiminë e qytetit, duke shprehur zhgënjimin e saj për mungesën e mbështetjes dhe neglizhencën e udhëheqjes komunale, të cilës i kërkohet përgjegjësi për këtë humbje të rëndësishme për komunitetin.
Komunikata e plotë:
Ish-basketbollisti Alban Hyseni mbyll një kapitull të lavdishëm, shuan klubin e basketbollit Drita!
Të dashur qytetarë,
Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Gjilanit më 31.10.2024, kërkova përgjigje nga kryetari i komunës për gjendjen e klubit KB Drita.
Kryetari Alban Hyseni pa asnjë shqetësim, tha se klubi KB Drita është regjistruar në ARBK si biznes dhe nuk është në dorën e tij të flasë për të!
Kaq ftohtë dhe pa ndjeshmëri për një klub që është rritur me breza të tërë, që ka mbushur sallat me tifozë dhe zemrat tona me krenari.
Para disa jave Alban Hyseni duke dashur të marrë merita për zgjidhjen e problemeve financiare të klubit deklaroi se KB Drita po rikthehej fuqishëm në basketbollin e Kosovës.
Sot kur klubi po shuhet, ky kryetar i papërgjegjshëm është strukur në zyrë duke përgatitur propagandën e radhës.
Ky zhgënjim i thellë le të na shërbejë si forcë për rikthimin e klubit dhe epitetit si kryeqytet i sportit!