LDK në Anamoravë me takime intensive e punë në terren për fitoren e madhe më 12 tetor
Sot në Gjilan, zhvilluam një takim të rëndësishëm mobilizues me strukturat tona nga Anamorava, një takim që dëshmon vendosmërinë dhe unitetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta rikthyer fuqishëm besimin qytetar dhe për të udhëhequr me përgjegjësi në çdo komunë të këtij rajoni.
Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror dhe deputet në Kuvendin e Republikës, z. Lutfi Haziri, së bashku me nënkryetaren e LDK-së, znj. Hykmete Bajrami, deputetin Krenar Xhaferi, kryetarët e degëve të Anamoravës, Sokol Haliti – Viti, Bajrush Ymeri – Novobërdë, Jeton Biqkaj – Kamenicë dhe Përparim Rexhepi – Kllokot dhe strukturat tona organizative, diskutuan dhe planifikuan hapat konkretë drejt fitores më 12 tetor, datë tashmë zyrtare e zgjedhjeve lokale.
Me unitet dhe vizion të qartë, jemi të gatshëm t’i prijmë këtij procesi me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë.
Në Gjilan, takimet e vazhdueshme me kryesinë e degës, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, kanë treguar një angazhim të jashtëzakonshëm për fillimin e këtij kapitulli të ri zgjedhor. Fryma bashkëpunuese, energjia e rinisë, përvoja e strukturave dhe gatishmëria për t’u përballur me sfidat, janë shenja të qarta se LDK po kthehet fuqishëm në terren.
Në këtë proces, kandidati ynë për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, gëzon përkrahjen e plotë të strukturës së LDK-së. Një figurë e besueshme, me vizion dhe integritet, Arbëri është përfaqësuesi i duhur për të rikthyer dinamikën zhvillimore dhe dinjitetin institucional në qytetin tonë.
LDK do të jetë forca e parë politike në Anamoravë. Fitorja është e arritshme, sepse kemi njerëzit, idetë dhe besimin e qytetarëve me vete, tha kryetari z. Haziri.